E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zotëria i Parë

Astrit Kuçi, mjek i dhëmbëve, prej sot është Zotëria i Parë i Shtetit. Ai punon në Qendrën Klinike Stomatologjike të Kosovës. Kolegët thonë fjalë të mira për të. Edhe fqinjët e lëvdojnë atë dhe gruan e tij, Presidenten Atifete Jahjaga. Nga Nexhmije Ahmeti më 08 prill 2011 në ora 08:40

Kosova nuk ka më Zonjë të Parë të Shtetit. Nga e enjtja në mbrëmje, për kosovarët ky epitet ka ndryshuar. Tash vendi do ta ketë Zotërinë e Parë të Shtetit.
Ai është një mjek.

Astrit Kuçi është specialist i sëmundjeve të dhëmbëve dhe bashkëshorti i Atifete Jahjagës, Presidentes së parë të Kosovës. Kështu, për herë të parë, vendi nuk do të ketë vetëm një femër Presidente, por edhe një Zotëri të Parë të Shtetit.

Kuçi ka disa vjet që është i martuar me Atifeten, të cilën e ka pasur edhe fqinje. Ata janë rritur bashkë në lagjen Bregu i Diellit në kryeqytet, ku jetojnë edhe tani. Kuçi rrjedh nga një familje mjekësh dhe e disa vjet punon në Qendrën Klinike Stomatologjike të Kosovës.

Edhe të enjten ai ka shkuar në punë si zakonisht, pavarësisht se një natë më parë liderët kryesorë të vendit dhe ambasadori amerikan në Kosovë i treguan edhe nëpërmjet televizionit se bashkëshortja e tij do ta drejtojë shtetin, së paku për një vit. Dallimi i vetëm është se të enjten Doktor Astriti ka dalë më herët se ditëve tjera nga puna. Sigurisht, me arsye. Pas disa orësh, bashkëshortja e tij do të votohej në Kuvendin e Kosovës për postin e Presidentes së Shtetit. Por, gjatë ditës së enjte, bashkëshorti i Presidentes është uruar nga kolegët e tij të punës. E këta të fundit tregojnë se kanë bërë edhe shaka në llogari të tij, duke e quajtur “Zonja e Parë e Shtetit”.

Kolegu i tij, stomatologu Agim Begzati nuk ngurron të thotë vetëm fjalë të mira për Kuçin, kolegun dhe ish-studentin e tij. Agimi, dikur profesor, tha se Astriti ka qenë një student i nëntësheve dhe dhjetësheve. “Edhe tash është një njeri i mrekullueshëm, edhe me ne kolegët, edhe me pacientët”, tregon ai.

“Ne kemi nderin që e kemi një punëtor të tillë këtu në Klinikë”, thotë Begzati. Por, kështu nuk mendon vetëm ky doktor, i cili nuk është i vetmi që është gëzuar pasi bashkëshortja e kolegut të tyre tash është Presidente. I gjithë stafi i klinikës janë gëzuar.

Megjithëkëtë, ka punëtorë të klinikës që nuk kanë pasur dijeni se presidentja e ardhshme është gruaja e kolegut të tyre. Sevdije Maxhuni, infermiere, thotë se nuk e ka ditur se Atifete Jahjaga është gruaja e Doktor Astritit.

“Sot kur kam ardhur në punë e mora vesh për kënd bëhet fjalë. Edhe pse mbrëmë kur i kam dëgjuar lajmet emri i saj më thoshte diçka, por s’më binte ndërmend kush është ajo”, thotë Sevdija për Express.

Edhe ajo ka fjalët më të mira për Doktor Astritin, me të cilin punon tash e sa vjet.

“Asnjëherë nuk kam dëgjuar ndonjë fjalë të keqe nga ai. Është i sjellshëm, i urtë dhe shumë i mirë”, thotë Maxhuni.

Kjo infermiere tregon se që tridhjetë vjet punon në Klinikën e Stomatologjisë dhe asnjëherë nuk ka parë mjek më të mirë se Astrit Kuçin.

Por, jo vetëm kolegët e punës kanë fjalë të mira për “Zotërinë e Parë të Kosovës”. Kështu flasin edhe fqinjët e Astritit dhe Atifetes.

“Janë familje shumë e mirë, fqinj shumë të mirë, me një fjalë janë njerëz të thjeshtë”, thotë Fatime Nikprelaj, fqinja e parë e tyre. Kjo grua tregon se Presidenten e Kosovës dikur e ka pasur edhe nxënëse. ”Shumë e mirë ka qenë edhe si nxënëse, e edhe tash”, thotë Fatimja për Express.

Atifete Jahjaga është e para femër Presidente jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Ajo është zgjedhur në këtë post me votat e Kuvendit të Kosovës. Jahjaga më origjinë nga Gjakova, me profesion juriste, karrierën në polici e ka filluar si përkthyese, më pas police në Departamentin e Policisë Kufitare. Po ashtu, ajo ka kryer edhe detyrën e kryesueses së Departamentit të Trajnimit, si dhe ndihmëskomisares për kufij, ndërkaq aktualisht me gradën Gjeneral-Major deri të enjten ka mbajtur pozitën e zv/drejtorit të Policisë së Kosovës. Kështu, Kosova nuk e ka vetëm femrën e parë Presidente në rajon, por edhe Zotërinë e Parë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›