Ikin regjistruesit

Jo të gjithë ata që kanë aplikuar për punë si regjistrues të popullsisë kanë nisur të punojnë. I tillë është edhe Sead Abdullahu nga Podujeva. Ai ka ndjekur pothuajse tërë trajnimin për t’u bërë regjistrues, megjithatë Seadi ende nuk e ka bërë këtë punë.
Në ditën e pestë të trajnimit, ai ka vendosur të mos vazhdojë më. Seadi thotë se këtë e ka bërë për arsye private. “Bash në kohën kur është dashur të nis punën për të cilën jam trajnuar, kam filluar t’i bëj disa renovime në shtëpi. Prandaj jam detyruar të mos vazhdoj”, tregon Seadi për Express. Pavarësisht se kjo mund të duket arsye shumë banale, ai thotë se kjo është arsyeja e vetme. Pavarësisht kësaj, Seadi thotë se gjatë trajnimit ka vërejtur disa parregullsi në raport me procesin. “Kontratën na kanë thënë se duhet ta nënshkruajmë dhe t’ua dorëzojmë menjëherë pa e parë në të se çfarë është e shkruar ”, rrëfen Seadi i cili thotë se ka insistuar që para se ta bëjë këtë ta lexojë. Përveç kësaj, Seadi ka vërejtur edhe disa parregullsi të tjera. “Aty punët nuk shkojnë shumë mirë, megjithatë shpresoj se procesi do të shkojë mirë”, tregon Seadi.
Por, ndryshe nga Seadi që e ka lënë punën si regjistrues, para se të nisë procesi i regjistrimit, ka të tillë që e kanë bërë të njëjtën gjë, pasi kanë filluar të punojnë.
Burime brenda komunës së Podujevës i kanë thënë gazetës se ka shumë raste kur regjistruesit, për shkak të arsyeve nga më të ndryshmet, e kanë lënë punën në gjysmë. “Vetëm deri në ditën e shtunë janë 27 regjistrues, të cilët nuk i kanë përballuar dot punës dhe kanë vendosur të japin dorëheqje pasi ka nisur procesi i regjistrimit”, ka thënë ky burim për Express. Për këtë informacion ka dëgjuar edhe Seadi. Ai thotë se po qarkullojnë disa fjalë nëpër Podujevë që disa nga regjistruesit e kanë lënë punën për shkak të vështirësive që kanë hasur në terren. Por, këtë e mohojnë zyrtarë të Komunës së Podujevës. Nexhmi Rudari, drejtor i Arsimit i cili gjatë procesit të regjistrimit është edhe kryekomisioner për Qendrën e regjistrimit në Podujevë, mohon të ketë ndonjë rast kur regjistruesit e kanë lëshuar punën. “Kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Asnjë nga regjistruesit tanë nuk e ka lënë punën, përveç nja 3 prej tyre që këtë gjë e kanë bërë para se të nisë procesi”, thotë i bindur Rudari për Express. Përveç tij, këtë e mohon edhe vetë kryetar i Komunës së Podujevës, Agim Veliu. Sipas tij, prej ditës së fillimit të regjistrimit, në komunën të cilën Veliu e drejton, asnjë regjistrues nuk e ka dorëzuar detyrën. Ai thotë se të gjithë janë duke punuar pandërprerë. Të enjten, në ditën e shtatë të procesit të regjistrimit të popullsisë, Mahir Yagcilar, ministri i Administratës Publike, kishte zgjedhur pikërisht qytetin e Podujevës për ta parë më afër se si po shkon procesi aty. Pasi vizitoi një familje, ministri u shpreh i kënaqur me ecurinë e këtij procesi në këtë qytet.
Mërgimtarët, sipas ligjit
Gjatë vizitës në Podujevë, Mahir Yagcilar, ministri i Administratës Publike, tha se është shumë i kënaqur me procesin e regjistrimit të popullsisë. Ndërkaq sa i përket regjistrimit të shtetasve kosovarë që ndodhen jashtë shtetit, ai tha se regjistrimi bëhet sipas Ligjit të regjistrimit të popullsisë. “Ekziston një parim në ligj, që thotë se një banor në botë regjistrohet në një vend. Edhe ne jemi duke vepruar sipas këtij parimi”, ka thënë Yagcilar. Përveç kësaj, ai thotë se deri në mblidhen e të gjitha materialeve të procesit të regjistrimit, Enti i Statistikave nuk mund të jep numrin e saktë të mërgimtarëve. “Tash për tash numrin e tyre nuk mund ta publikojmë sepse të gjitha materialet duhet të grumbullohen, pastaj do të kemi numrin e saktë të të gjithë mërgimtarëve”, u shpreh ai.
KMDLNJ reagon për diasporën
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë ka vërejtur paqartësi në lidhje me regjistrimin e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit (diaspora) dhe pasurisë së tyre që e kanë në Kosovë. “Gjatë procesit të regjistrimit nuk janë regjistruar qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe pasuritë e paluajtshme që i kanë në Kosovë, me gjithë deklarimet e familjarëve të tyre. KMDLNj me këtë rast kërkon nga Komisioni Shtetëror i Regjistrimit dhe Enti i Statistikave të Kosovës që të japin sqarime se si do të regjistrohen personat apo qytetarët e Kosovës që përkohësisht punojnë jashtë vendit dhe si do të regjistrohen pronat e tyre në Kosovë”, thuhet në reagimin e organizatës.