E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e mospajtimit

Derisa shqiptarët festuan 11-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, e cila i dha fund spastrimit etnik në Kosovë, serbët e vendit e përkujtuan atë duke protestuar. Për dallim nga ditët e tjera kur qetësia mbizotëron në të dy anët e urës kryesore të Ibrit në Mitrovicë, në pasditen e së mërkurës, ajo dukej shumë më ndryshe.

Hedhja e kurorave me lule dhe ndezja e qirinjve te lapidari i ngritur afër urës kryesore, ishte performanca që serbët e Mitrovicës zgjodhën për të përkujtuar 11-vjetorin e bombardimeve të NATO-s. Kryetar i Këshillit Kombëtar Serbëve të Veriut, Milan Ivanoviq në fjalimin e tij të mbajtur me këtë rast tha se bombardimet po vazhdojnë edhe në ditët e sotme dhe se, sipas tij, një prej këtyre është edhe Strategjia për Veriun që është ‘tentim i shqiptarizimit dhe okupimit të Kosovës’.

Serbët e mbledhur të mërkurën mbanin në duar flamuj serbë, spanjollë e grekë si dhe parulla ku thuhej “Strategjia e Veriut është dënim me vdekje për serbët”, “EULEX-i dhe Feith- kërcënim për serbët”, etj. Pas kësaj, serbët e tubuar vazhduan të marshojnë në këmbë nga Mitrovica në drejtim të Zveçanit. Sipas zyrtarëve të Policisë së Kosovës, marshi i qytetarëve nga Veriu i Mitrovicës deri në terrenin sportiv të tenisit në Zveçan, është realizuar pa ndonjë incident të shënuar. Grumbullimi i qytetarëve nuk ka munguar as në anën tjetër të urës së Ibrit. Derisa serbët po shprehin pakënaqësinë e tyre duke protestuar, shqiptarët po shikonin me vëmendje bashkëqytetarët e tyre.

“Nuk kanë se çka bëjnë, nuk ua kemi frikën tani. Kemi pasë frikë para luftës se tash vetëm i këqyrim për gjynah. Vetëm kalova këndej kah ura dhe u ndala me i pa çka po bajnë ata”, thotë Vehbi Ibrahimi, një i moshuar nga Mitrovica, i cili shoqërohej nga dy persona të tjerë. Përpos qytetarëve, mbi këtë urë të mërkurën qëndronin edhe një numër i shtuar i forcave policore të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare. Ashtu sikurse në Mitrovicë, rreth një mijë serbë u tubuan edhe në qendër të Graçanicës.

Duke iu drejtuar masës së grumbulluar, peshkopi i Kishës Serbe, Atanasi, tha se serbët nëpër shekuj kanë ecur me kryq në zemër dhe në veçanti ata të Kosovës. Sipas tij, hakmarrjen nuk do ta bëjnë serbët, por Zoti. “Do të doja të shkruaj vetëm të vërtetën, jo për shpifje, për të mos kërkuar hakmarrje, sepse hakmarrja është e Zotit. Këta dëshmorë të Kosovës kanë vuajtur nga duart e kriminelëve, sidomos ata të 24 marsit të vitit 1999. Ata u vranë në djep, në autobusë, në fusha, në rrugë, në shtëpi, spitale dhe trena”, tha peshkopi Atanasi para përmendores së ngritur në përkujtim të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Epopeja e Gllogjanit

Ndërkohë, banorët shqiptarë të Kosovës në këtë ditë në të cilën shënohet edhe Epopeja e Dukagjinit, janë tubuar në Gllogjan të Deçanit.

Në këtë manifestim janë parë flamuj të shumtë kombëtarë, gjithashtu edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, por nuk është vërejtur flamuri i shtetit të Kosovës.

Po ashtu nuk është intonuar as himni shtetëror i Kosovës, por vetëm ai kombëtar. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj së bashku me Rifat Jasharin kanë bërë homazhe te varret e dëshmorëve. Haradinaj ka thënë se kjo datë është shumë e rëndësishme, sepse i bashkon dy kohëra. “Një kohë kur me një bindje të plotë ushtarët e UÇK-së u përballën vetë për të fituar lirinë dhe një kohë, kur bota e civilizuar, organizatat ndërkombëtare më të avancuara, si NATO-ja, u vunë në mbrojtje të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Më 24 mars të vitit 1999 sulmet ajrore të NATO-s filluan në ora 20:00, me urdhër të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana dhe të komanduara nga gjenerali Uesli Klark. Sulmet e Aleancës filluan pas dështimit të arritjes së marrëveshjes për paqe në Rambuje dhe Paris, mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga shtetet më të fuqishme.

Marrëveshje për arritjen e paqes u nënshkrua nga delegacioni i Kosovës, por u kundërshtua nga Serbia. Bombardimet përfunduan më 10 qershor, pasi një ditë më parë ishte arritur një marrëveshje në Kumanovë mes NATO-s dhe Serbisë. Marrëveshja Teknike e Kumanovës parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë. Pas hyrjes së trupave ndërkombëtare, KFOR, në Kosovë vendi u administrua nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Fatmir Sejdiu
“Njëmbëdhjetë vjet pas fillimit të kësaj fushate, Kosova ka shënuar progres në të gjitha fushat e jetës. Republika e Kosovës është pavarësuar dhe është njohur ndërkombëtarisht nga 65 vende, nga SHBA-të, shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe vende të tjera demokratike anekënd botës. Ajo po dëshmohet çdo ditë si një faktor shumë i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në këtë pjesë të Evropës Juglindore, duke nxitur po kështu bashkëpunimin me vendet fqinje dhe të rajonit”.

Hashim Thaçi
“Intervenimi i Organizatës më të fuqishme botërore ushtarake- i NATO-s, mbi pozicionet e ushtrisë dhe policisë serbe më 1999, është ngjarja më e rëndësishme e shekullit të shkuar për këtë aleancë, duke konfirmuar faktin se liria është vlera më e lartë e shoqërisë demokratike, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi, nëpërmjet mesazhit të tij me rastin e përvjetorit të 11 të intervenimit të NATO-s në Kosovë”.

Ramë Manaj
“Para 11 vjetësh ka ndodhur fillimi i një historie të re për këto hapësira dhe për popullin e Kosovës. Ka filluar dhe për pak ditë ka përfunduar situata e shtypjes, e dhunës, e terrorit, e gjenocidit, e vrasjeve dhe është rasti i parë kur Aleanca më e fortë e historisë së njerëzimit, ajo e NATO-s, ka ndërmarrë sulme të tilla me qëllim të mbrojtjes të së drejtës për jetë të një populli, që ishte diskriminuar aq gjatë, që ishte shtypur aq gjatë, që ishte depërtuar me përqindje të madhe. Gati gjysma e popullatës ishte depërtuar jashtë vendit, kështu që thjesht është një datë historike për historinë e re të Kosovës”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›