E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e parë e punës së Nishanit, pa sirena makinash dhe duke respektuar semaforët

Kreu i ri i shtetit, Bujar Nishani nisi sot rrugëtimin presidencial prej apartamentit, në Selitë të Tiranës drejt godinës së institucionit më të lartë në vend, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, që do ta drejtojë për 5 vitet e ardhshme.

Kamera e A1 Report, ka ndjekur nga afër lëvizjen e eskortës të presidentit të 6 të Shqipërisë.

Z.Nishani la apartamentin e tij në ora 09:20 të mëngjesit të sotëm, ku është pritur poshtë pallatit nga eskorta shoqëruese me makina policie tip fuoristradë dhe oficerët e gardës.

Eskorta e z.Nishani nuk ka shumë ndryshim nga ajo e paraardhësit të tij Topi, janë po të njëjtat automjete, dhe i njëjti Benz presidencial me targa 001 dhe me ngjyrë të zezë qëndron gjithmonë në mes të eskortës.

Eskorta pasi la pas Komunën e Parisit dhe Kompleksin Dinamo, përshkoi me shpejtësi normale gjithë rrugën, e njohur si rruga e Librit Universitar.

As sirena makinash siç jemi mësuar ti dëgjojmë rëndom nga qeveritarët dhe as parakalime të shpejta të makinave të tjera të zakonshme në rrugë. Përkundrazi makina e Nishanit dhe të tjerat që e shoqëronin kanë respektuar edhe semaforët sa herë ndizej drita e kuqe, pavarësisht vonesës prej disa minutash në punë që mund ti shkaktohej presidentit të ri.

Ende nuk dihet nëse kreu i ri i shtetit do zgjedhë banesën e tij siç bëri dhe paraardhësi i tij Topi, apo do jetojë në Pallatin e brigadave, por dita e parë e punës nisi nga Selita.

Në një intervistë për median të dhënë pak ditë nga zgjedhja e tij nga Parlamenti, deklaroi se do të respektonte protokollin shtetëror, çka nënkuptonte dhe se do të jetonte në Pallatin e Brigadave. Presidenti Bamir Topi gjatë periudhës së presidencës së tij nuk jetoi në pallatin e Brigadave por në banesën e tij. Presidenti Bujar Nishani u betua dje në parlament dhe po dje pasdite u zhvillua ceremonia zyrtare e ndërrimit të pushteteve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›