E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e parë e qeverisë Rama - në biznes klas

17-09-2013 / Gazeta 55

Udhëtimi i parë i kryeministrit Rama drejt Brukselit u shënua nga luksi i parë çka është një shuplakë për 1 milion të papunë që kanë 1 milion halle. Edvini dhe stafi i tij e zunë dje gjithë sektorin biznes-klas të avionit, ku bileta kushton rreth 1 mijë euro personi. Le të thotë sa të dojë Rama në fjalime se qeveria e tij është e popullit, pasi me vepra po tregon se është kabineti i luksit dhe i shpërdorimit

Me lekët e shtetit kryeministri i vendit Edi Rama nuk po njeh kufizime shpenzimi. Nuk mjafton të bëjë paraprakisht shpenzime për të arreduar nga e para sallën e Këshillit të Ministrave apo të bëjë ndryshime me zëvendësimin revanshist të fotografisë së presidentit të Republikës Nishani me fotografinë e zbehtë të Ismail bej Qemalit nëpër zyrat e ministrave analfabetë në administrim dhe qeverisje të punëve të shtetit. Por në ditën e parë të qeverisë, kryeministri Rama  e nisi me një shpenzim për luks duke udhëtuar drejt Brukselit zyrtar me biznes klas, vendi më luksoz në avion që rezervohet kryesisht nga biznesmenët dhe afaristët e pasur. Sipas faqjes online të kompanisë me të cilën udhëtoi kryeministri Rama dhe pasuesit e tij, çmimi i biletës vajtje-ardhje është 1015,25 Euro, pra, 1 milion e 400 mijë lekë. Ndërsa bileat normale është  472,25 euro.   Kjo shenjë luksi i tepruar i kryeministrit Edi Rama është një shuplakë varfërisë së 1 milion të papunëve të supozuar që do të punësojë së shpejti.
Le të thotë sa të dojë kryeministër Rama në fjalime se qeveria e tij është e popullit sepse me vepra tregon të kundërtën, duke dëshmuar se nuk jeton dhe as shpenzon si populli i thjeshtë.    
Kuptohet vetiu kryeministri Edi Rama së bashku me shpurën e tij udhëtoi për shtatë palë qejfe në sektorin biznes-klas të avionit Tiranë-Bruksel pa e brejtur ndërgjegjja që ka 1 milion të papunë që janë me një milion halle.
Ndoshta si kryeministër i vendit Edi Ramës mund ti lejohet edhe luksi për të udhëtuar në sektorin biznes klas, por atyre dhjetë personave që i shkojnë nga pas, afërmendsh nuk është nevoja t’ju sigurojë luks të tepërt në sektorin e biznes-klas ku bileta vajtje ardhje është afërsisht 1 mijë euro personi. Këto shpenzime janë sa të tepërta aq dhe  pa faturë transparente. Padyshim është e njëjta logjikë shpenzimesh të pakursyera që u panë në mbledhjet pa leje  të qeverisë “Rama” në hotele të shtrenjta me 4-5 yje, që kushtonin sa qimet e kokës.
Gjithashtu, kryeministri Edi Rama apo stafi i tij politik nuk do të bëjnë kurrë transparencën normale, as për shpenzimet e bëra në hotelet me shumë yje të Vlorës dhe Shkodrës, as për faturat që “fryra” të Artan Lame dhe Artan Shkreli për të ndryshuar nga e para sallën e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave. por dhe as për biletat model biznes-klas të Edi Ramës dhe stafit të tij çudibërës.
Dhe këto radhë të shkruara nuk kërkojnë të jenë moral, por dëshmi e dorëlëshimit aspak normal të një kryeministri pa frena. Edi Rama pritet të rrisë shpenzimet buxhetore edhe për ministritë e reja dhe për 20 deputetë e rinj, që do të hyjnë në parlament pas dorëzimit të mandatit të deputetëve nga ana e ministrave. Sipas parashikimeve ky do të jetë edhe parlamenti më i kushtueshëm në gjithë historinë e demokracisë. U votua për 140 deputetë, por do të paguhen 160, sepse kryetari i PS donte të kishte dhe 20 të tjerë plus, duke shtuar ministrat. Një deputet i kushton shqiptarëve jo më pak se 2 milionë lekë në muaj, 24 milionë në vit (25.000 dollarë) dhe në 4 vjet minimumi 100.000 USD. Vetëm nga vendimi abuziv dhe arrogant i kryetarit të PS parlamenti do të kushtojë 2 milionë USD më shumë. Shpenzimet e kësaj qeverie nuk përfundojnë me kaq; Plot 5 ministri më shumë, të cilat sigurisht ata që votuan nuk i dinin në 23 qershor. Sidoqoftë një gjë është e sigurt: Nuk do të shpenzohen paratë e Edi Ramës, por të shqiptarëve. Një herë Kryeministri i vendit Edi Rama ka thënë edhe më parë se nuk jeton për para, por si duket për luks të tepruar po! 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›