Shembulli Vizental, i papranueshëm nga nostalgjikët tanë
Përsiatje për problematikën e ndërlikuar të hapjes së dosjeve
Në vitin 1977 u krijua agjencia për Kujtesën e Holokaustit, “Simon Vizental Center”. Kjo qendër dha një ndihmesë të fuqishme për ndërgjegjësimin publik e për gjurmimin e grupeve neonaziste, për ngritjen e muzeve me këtë synim në Los Anxheles dhe në Jerusalem dhe ndihmoi për t’ia siguruar gjyqit kriminelët nazistë të luftës, që kishin mundur t’i shpëtonin drejtësisë. Në vitet 1970, Vizentali u kritikua dhe u denigrua nga politikanët austriakë kur pohoi se shumë ministra të qeverisë socialiste të krijuar nga Bruno Kreisky kishin pas qenë të Partisë naziste, në kohën kur Austria ishte pjesë e Rajhut III. Edhe vetë Kreisky, me origjinë çifute, e qortoi me fjalë të ashpra Vizentalin si një ‘Nestbeschmutzer’ (Lexo: ‘Nestbeshmucer’, domethënë “njeriu që ndyn folenë e tij”, në kuptimin se flet keq për sistemin shoqëror dhe politik në të cilin jeton, apo flet keq për vendin e vet). Prej kohësh Vizentali kërcënohej me vdekje nga shumë të prekur prej qëndrimit të tij. Në vitin 1982, shpërtheu një bombë në pjesën e jashtme të banesës së Vizentalit në Vjenë, nga Neonazistët gjermanë dhe austriakë. Në prill të vitit 2003 (në moshën 95-vjeçare) Vizentali u tërhoq nga aktiviteti duke thënë se ia arriti që t’i zbulonte kriminelët që kërkonte. “Jetova më shumë se ata. Nëse ka mbetur ndonjëri pa u mbërthyer, ai do të ishte tepër plak, aq sa nuk do të përballte dot as gjyqin. Kështu punën time e quaj të kryer” ). Sipas Vizentalit krimineli i fundit austriak që jeton është Alois Bruneri, krahu i djathtë i Ajkmanit, që thuhet se është fshehur në Siri, nën mbrojtjen e regjimit të Asadit. Vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Vjenë, ku i vdiq edhe e shoqja, Cila, më 10 nëntor 2003, 95 vjeçe, për arsye natyrore. Edhe Vizentali vdiq në Vjenë, më 20 shtator 2005.
Vlerësimet/Më 19 shkurt 2004 Anglia e dekoroi si Kalorës me motivacionin që e vuri jetën “në shërbim të njerëzimit”. Po të njëjtin urdhër mori edhe “Simon Vizental Center”. Iu dha’ medalja e Kongresit’ të Shteteve të Bashkuara, ‘medalja e Lirisë’ gjermane, medalja ‘Luksemburg e Lirisë’, ‘Legjioni i Nderit’ francez, ‘kryqi i Nderit’ austriak, për artet dhe për shkencat, si edhe dekorata nga grupet e Qëndresës franceze dhe austriake. Personazhi i Ezra Libermanit në romanin e Ira Levinit “Djemtë që erdhën nga Brazili”, ishte brumosur mbi Vizentalin. Ky ishte edhe njëri ndër personazhet dytësore të “Dosjes Odesa”, të Frederik Forsajtit, në rolin e dhënësit të informatave një gazetari gjerman mbi gjurmët e një krimineli nazist. Në një artikull i 7 majit 1991, botuar në ‘Jerusalem Post’, mëtohej se ish-shefi i Mosad Iser Harelit, kishte pas shkruar një dorëshkrim, - që nuk u botua kurrë, - sipas të cilit vihej në dyshim roli i Vizentalit në kapjen e Ajkmanit. Hareli ngulmonte se dorëshkrimi i tij ishte si kundërveprim i famës së Vizentalit për zbulimin e Ajkmanit. Madje thoshte se nuk e botonte dorëshkrimin se do të gëzoheshin nazistët dhe antisemitët(!).
Por këto Haim Mass-i i hodhi poshtë menjëherë në replikën pasuese, duke i quajtur akuzat kundër Vizentalit si të pavërteta sepse ishte bash Vizentali ai që kishte nxjerrë fotot e para të kolonelit SS në shesh (është fjala për Ajkmanin - K.X.), foto të cilat lehtësuan gjuetinë kundër kriminelit nazist. Vetë Vizentali kritikoi arsyetimet e Harielit për mosbotimin e dorëshkrimit të tij se “na paskësh qenë i shqetësuar se nazistët dhe antisemitët ishin të vetmit që do të gëzoheshin duke lexuar për gjuetarin e Nazistëve, Vizentalin, ndonëse Harieli nuk ishte luhatur që ta ulte pa reshtur në mediat! A mos mendonte se nazistët dhe antisemitët lexojnë vetëm librat dhe nuk lexojnë gazetat? Ndonjë tjetër (Fridmani) vërente se Vizentali shkruante gjëra të pavërteta për të ngritur famën e tij! Rozenbaumi kërkonte ta denigronte duke e paraqitur si një gënjeshtar të lindur)! Për fat të mirë , këta zëra mbrojtës ishin në shterje, gjersa u zhdukën fare.
Thamë se edhe veprimtaria e Vizentalit pati pengesa nga nostalgjikët e nazizmit. Ndonëse ai pati lavdërime dhe dekorime të shkallës më të lartë, folëm edhe për ata që iu kundërvunë. Por theksuam se ata u katandisën si një zë që thërret në shkretëtirë (‘Vox clamantis in deserto’,- siç thoshin latinët). Megjithatë, pasi treguam vështirësitë, ai triumfoi. Ishte meritë e tij që krimineli nazist i kampeve, Ajkmani, u kap dhe u dënua me vdekje (në Tel Aviv), i futur në një kabinë xhami të trashë, të papërshkueshme nga plumbat, kaq urrejtje kishte grumbulluar prej të përndjekurve dhe të masakruarve prej tij...
Po te ne? Keqbërësit dhe agucinët e kampeve tona të vdekjes (Tepelenë, Vloçisht...etj.) jo vetëm që s’u prekën asnjë fije, por edhe u pasuruan, pas katrahurës leniniste ‘të vonuar - sipas Qosjes - të 1997-s. Vendi ynë, pas destalinizimit frymëmarrës që u përjetua në të gjithë botën, ishte një përjashtim kobndjellës, që E.H.-a të ruante karrigen pushtetare të tij.. Këtë karrige të përgjakshme ai e mbajti përmes terrorizmit të pashëmbullt të viktimave të kundërshtarëve të tij nacionalistë, por pa kursyer edhe të tijtë, nacionalçlirimtarët, si komplotistë të hamendësuar të personit të vet diktatorial. I krahasueshëm me Pol Potin! Stalinizmi mbeti i pacenuar , gjersa revolta popullore, gjatë proceseve të ndërrimit të sistemeve, i shkuli nga piedestalet statujat e Stalinit dhe shtatoret e stalinistit Enver, me vrullin e një uragani të papërmbajtshëm. Por populli ynë e vuajti në kurrizin e tij për 15 vjet dhunën staliniste gjer në denoncimin e krimeve të Stalinit, por edhe për 34 vjet të tjera plus, ideologjinë e shpëlarjes së trurit, deri në vitin shpëtimtar 1990. Gjysmë shekulli!
Tani historianët nostalgjikë të Enverit bëjnë dallimin paradoksal ndërmjet të dy totalitarizmave: atij komunist dhe atij nazifashist. Studiuesi dhe historiani i shquar Thierry Wolton i quan paradoksale këto krahasime: Nazizmi është përgjegjës për 25 milion viktima, përkundrejt komunizmit, me 100 milion viktima. Ama edhe në kohët e tanishme, krimet naziste u përballën me një Nuremberg, si edhe me përkushtimin e njerëzve që kanë lënë një emër të lavdishëm në histori (Vizentali); por edhe krimet e Stalinit janë stigmatizuar në të gjithë botën, madje edhe nga e bija e Stalinit, Svjetllana, (që ka bërë emër në Amerikë me “Katër letrat” e saj. Ndërsa te ne ata historianë që përmendëm, janë të gatshëm të shfyjnë mllefin e tyre vetëm ndaj njërit totalitarizëm. Ndërsa atë tjetrin, totalitarizmin komunist, enverizmin dhe stalinizmin, e mbrojnë me patos vulgar. Gjer në ringritjen e statujës së stalinistit Enver Hoxha! Në përputhje me veprimtarinë e inkoherencës së E. Ramës. Ky njeri bën sikur hiqet si antikomunist e si proamerikan (i shtirë), për të qenë i përkrahur edhe nga ndërkombëtarët, në ambicien e tij të sëmurë për pushtet vetjak. 4 parti enveriste i futi në koalicionin e vet. Të gjithë së bashku kanë mbetur anakronikë. Janë përgjegjës për shpërfilljen që i është bërë AK-së së BE-së për dënimin e krimeve të komunizmit. Dhe bëjnë propagandë kinse proamerikane edhe sot, në parlamentin tonë, duke përmendur Uidhersin, që tanimë nuk është veçse një pensionist i zakonshëm, por mund të pyeten: Përse nuk përmendin Rajersonin, që një popull i tërë e priti me brohori e me dashuri të sinqertë?
Fushata e mbrojtjes së krimit komunist dhe e protagonistit të këtyre krimeve, stalinistin Enver Hoxha, fërgëllon edhe sot e kësaj dite. Dr. Berishën e përbaltin si mjek të oborrit diktatorial (!). Por duket se nuk e kanë lexuar librin e Kujtimeve të Nexhmijes, në të cilin e mohon në mënyrë të prerë këtë thënie që ka mbushur mediat. Nga ana tjetër, në të gjithë dokumentarët e shumtë për sëmundjen e diktatorit, në asnjë rast nuk del, e as nuk flitet, për doktor Berishën. I fryjnë vetëm një “fakti”: Jashtë rrethojës së bllokut të udhëheqësve, në Pogradec, është gjetur një foto, që paraqet në ranishte pranë një barke të fëmijëve të diktatorit, ku doktori bisedon me këta fëmijë! A mos kërkohet të jenë “allnuar” (siç thonë të vegjlit), dhe të mos bisedohet as për ndonjë problem shëndetësor të rastit? Harrohet se kur, në vigjilje të ndërrimit të sistemeve, doktori ishte në tribuna me të dy gishtat lart, kur ata që e përgojojnë tani bënin plane në organizata partie, skutave, për të sabotuar demokracinë? Qëllimi është: komunistë ne, por komunist edhe ti – u lamë! D.Bushati nuk përflitet si i biri i S. Bushatit, por për thënien se e ka për nder që është i biri i Sulejmanit, që kishte qenë në krye të K. Partisë të Shkodrës, dhe jo vetëm. Ndërsa E. Rama, e mbron Kristaqin dhe e mohon firmën e këtij për ekzekutimin e shkrimtartit e poetit Havzi Nela, për punë ditarësh...Por nuk vonoi dhe firma e Kristaqit doli në gazetat me fac simile!
Përfundojmë: Ja, pra, përse kishim edhe né nevojën e një antitotalitaristi shqiptar investigues, siç ishte i tillë edhe Simon Vizentali në Gjermani, kundër krimeve hitleriane. Por jemi vetëm përkundrejt një fantazie, paçka se diktatura shqiptare e E. Hoxhës ishte terroriste si ajo e Hitlerit, me ndryshimin se Hitleri donte një Gjermani të madhe (Deutschland über alles), kurse tirani ynë donte një Shqipëri të asgjësuar! Sa për terrorizmin e E. Hoxhës, do të mjaftonte fac simile-ja me firmën e tij (“Të torturohet, pastaj të ekzekutohet” )– për Ll. Fundon”. F. Noli, që e vlerësonte shumë Llazarin, shpërtheu në indinjatë!.