Dita e parë e shkollës, krerët e shtetit urojnë nxënësit
Në disa gjimnaze shkolla ka nisur me probleme, për shkak të librave
Dje më 10 shtator dyert e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme janë hapur për mijëra nxënës. Por emocionet më të mëdha kanë qenë për nxënësit e klasave të para, të cilët u ulën dje për herë të parë në bankat e shkollave. Në disa gjimnaze të Tiranës, fillimi i vitit është shoqëruar edhe me disa problematika. Kështu nxënësit e shkollës “Petro Nini Luarasi” tregojnë se një pjesë e teksteve mungojnë, edhe pse Ministria e Arsimit paralajmëroi se nëse botuesit nuk i nxirrnin librat në treg brenda afateve do të zëvendësoheshin me alternativa të tjera. Dita e parë e shkollës ka krijuar një trafik tejet të renduar, çka e bënte të pamundur lëvizjen normale nëpër rrugë.
Urim i Presidentit
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka uruar të gjithë nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor me anë të një mesazhi në faqen zyrtare në internet të Presidencës. Kam kënaqësinë e veçantë si President i Republikës që me rastin e fillimit të vitit të ri arsimor 2012-2013 tju përshëndes e tju përcjell urimet më të përzemërta për këtë ditë, që shënon një fillim tjetër të ri në rrugëtimin e shoqërisë shqiptare drejt diturisë dhe ndërtimit e një të ardhmeje të ndritur, lexohet në mesazhin e Presidentit. Gjithashtu, presidenti Nishani u bëri thirrje të kthehen në shkollë të gjithë atyre që për arsye të ndryshme e kanë braktisur shkollën: Sot është dita kur ju bëj thirrje të gjithë familjarëve dhe fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, ti rikthehen sa më parë asaj.
Mësuesit
Gjithashtu presidenti uroi edhe mësuesit që me profesionalizmin e tyre përgatisin brezat e rinj: Sot është edhe dita juaj, të dashur mësues. Kam kënaqësinë që me anë të këtij mesazhi të shpreh vlerësimin tim dhe mirënjohjen për të gjithë përkushtimin, profesionalizmin, vlerat dhe virtytet njerëzore që ju dini të dëshmoni dhe transmetoni gjatë punës suaj në edukimin e brezave të ardhshëm. Këtu desha të përgëzoj Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, për nismën e saj në futjen e shërbimit psikologjik shkollor, që do të synojë në angazhimin e trajtimit të problemeve, që kanë të bëjnë me sigurimin e të drejtës për arsim, me fokus fëmijët me aftësi të kufizuar, fëmijët romë, egjiptianë dhe të gjithë fëmijët në nevojë, lexohet në mesazhin e Presidentit të Republikës.
Berisha në Lezhë
Ndërkohë kryeministri Sali Berisha vizitoi dje shkollën 9-vjeçare Besëlidhja, në Lezhë, për të uruar nxënësit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri shkollor. Kryeministri i vendit shoqërohej nga ministri i Arsimit, Myqyrem Tafaj. Shkolla është vatra më e ngrohtë. Shkollimi është përkushtimi i qeverisë. Që prej ardhjes sonë në pushtet, rrogat e mësuesve u rriten 100 %, 90 % e nxënësve që mbarojnë 9-vjeçaren kalojnë në të mesmen, ndërsa 71 % e atyre që mbarojnë shkollën e mesme shkojnë në shkollë të lartë, tha dje kryeministri, ndërsa uroi edhe vogëlushët.
Kukës, mbyllen dy shkolla, godinat drejt rrënimit
Për shkak të mospërmbushjes së detyrave të lëna nga Inspektoriati i Shëndetit Publik dy shkolla 9-vjeçare të rrethit të Kukësit nuk janë hapur në ditën e parë të fillimit të vitit të ri arsimor. Më shumë se 250 fëmijë të shkollave në Përbreg dhe Shkinak, sipas drejtorit të Drejtorisë Arsimore, pritet ta fillojnë mësimin pas përmirësimit të standardeve higjieno-sanitare. Një tjetër problem për sistemin arsimor 9-vjeçar të rrethit të Kukësit
është mungesa e godinave shkollore çka ka bërë që mësimi kryesisht në shkollat e mesme të zhvillohet me turne. Ndërsa për sa i përket shpërndarjes se teksteve shkollore 90 % e nxënësve i kanë tërhequr ato.
Totozani: Mësuesit nuk janë të gjithë të kualifikuar
Avokati i Popullit Igli Totozani krahas urimit, ditën e parë të shkollës e ka shfrytëzuar edhe për të bërë apelin për ata të cilët nuk mund të shkollohen. Ai gjithashtu bëri të ditur se sipas një studimi të UNICEF çereku i mësuesve të shkollave 9-vjeçare nuk janë të kualifikuar. “Pothuajse 1/4 e fëmijëve në zonat rurale të Shqipërisë që regjistrohen në klasën e parë nuk e përfundojnë shkollën tetëvjeçare dhe 1/4 e mësuesve të shkollave 9-vjeçare nuk janë të kualifikuar, sipas një studimi të UNICEF. Këto shifra janë brengosëse për çdo shoqëri që është e përgjegjshme për të ardhmen”, thuhet në deklaratën e Totozanit.
Basha uron nxënësit, shpërndan edhe dhurata
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për ti uruar nisjen e vitit të ri shkollor nxënësve që për herë të parë ulen në bankat e shkollës. Rreth 5300 fëmijë të klasave të para kanë gjetur në bankat e tyre një dhuratë simbolike, me mjetet mësimore nga kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, të shoqëruara me një kartolinë urimi. Zoti Basha ishte dje në shkollën Jeronim De Rada, nga ku u ka uruar suksese, të gjithë nxënësve të kryeqytetit që nisën dje vitin e ri shkollor. Ju uroj nga zemra, ju dhe prindërve tuaj, të keni një vit sa më të mbarë! Një urim të veçantë kam për të gjithë fëmijët që fillojnë klasën e parë në qytetin tonë dhe që janë plot 5305 fëmijë. Uroj të jetë sa më paharrueshme kjo ditë, e cila shënon fillimin e rrugës së bukur të dijes, për ta. Të njëjtin urim u përcjell edhe fëmijëve të tjerë të qytetit, nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme që fillojnë sot vitin e ri shkollor 2012-2013. Është një vit i veçantë, viti i Pavarësisë dhe krahas programit mësimor, këto institucione të qytetit tonë, shkollat 9-vjeçare, shkollat e mesme janë edhe partneret e Bashkisë, në realizimin e një sërë aktivitetesh, siç janë konkurset, olimpiadat, kampionatet sportive që do të jenë jo vetëm risia e këtij viti, tha dje Basha.