Nervozohet Sequi: Për statusin pyesni Berishën dhe Ramën!
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Ettore Sequi është shprehur mjaft i pakënaqur nga puna që ka bërë klasa politike në vend për sa i përket integrimit të Shqipërinë në BE. Sequi pati një takim kokë më kokë me kreun e opozitës ditën e djeshme dhe me sa duket nuk ka ngelur fort i kënaqur kur la të nënkuptohet se Berisha dhe Rama nuk kanë në mend të gjejnë gjuhën e përbashkët as këtë herë për të marrë statusin e vendit kandidat.
Sequi: Është në dorë të politikanëve
Në një prononcim të shkurtër për mediat, ambasadori Sequi theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë mbetet në dorë të klasës politike shqiptare. Ai theksuar se është politika që duhet të plotësojë 12 kriteret e kërkuara nga Komisionit Europian. I pyetur nga gazetarët nëse Shqipëria do e merr statusin e vendit kandidat, Sequi tha se duhet të pyesni klasën politike shqiptare nëse Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat. Takimi u zhvillua në selinë rozë dhe zgjati për rreth 30 minuta. Temë e bisedës kanë qenë zhvillimet politike në vend, në prag të daljes së progres raportit nga ana e Komisionit Europian.
Kriteret e BE
Çështja e heqjes së imunitetit, dhe reformat e tjera për plotësimin e 12 prioriteteve janë çështjet kyçe ku është fokusuar vëmendja e ndërkombëtarëve. KE do të japë në tetor vendimin për statusin kandidat të Shqipërisë. Dy ditë më parë kreu i PS, Rama vjen një ditë pasi kryesocialisti Rama u takua edhe me Zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Philip Reeker.
The Economist: Raport-Progresi
për Shqipërinë, do jetë i ashpër
Ky më poshtë është shkrimi i gazetarit të njohur britanik, Tim Judah, ku flitet për integrimin e Ballkanit, duke paralajmëruar se progres- raporti i këtij viti, ndryshe nga vitet e shkuara, do jetë më i ashpër. Titulli i shkrimit është Qarku i integruar.
Analiza e The Economist
Integrimi evropian është akoma qëllimi strategjik kryesor në vendet e Ballkanit Perëndimor. Por kriza në Europë ka ndryshuar peizazhin politik. Deri në fillimin e saj disa gjëra ishin të qarta. Për anëtarët e Bashkimit Europian qëllimi i afrimit të ish- vendeve jugosllave dhe Shqipërisë ishte stabilizimi i rajonit, ndërsa për shtetet e Ballkanit ideja ishte për të përdorur procesin për të ndërtuar shtete moderne dhe funksionale. Tani të gjitha bastet janë mbyllur. Askush nuk e di se çfarë përmban e ardhmja për shkak se askush nuk e di si do jetë BE pas një viti, le më pas dhjetë vitesh.
Ceshna Pusic, ministrja e Jashtme e Kroacisë, thotë se kur vendi i saj të bashkohet me BE-në në korrik të vitit të ardhshëm, do jenë mbushur 12 vite e katër muaj punë për të mbërritur aty, që nga nisja formale e procesit, dhe se BE-ja ku do hyjë Kroacia nuk është ashtu siç mendohej në fillim të procesit. Pas Kroacisë, vendet e mbetura, Serbia, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnja janë në faza të ndryshme të rrugës drejt BE, por do të duhen vite përpara se vendi më i përparuar prej tyre, Mali i Zi, të bashkohet me BE-në.
E gjitha kjo dhe kuptimi i saj është diskutuar në një punim të shkëlqyer të Dimitar Bechev nga Këshilli Europian për Marrëdhënie me Jashtë. Kriza e euros jo vetëm që ka vrarë zgjerimin, por po e vendos rajonin në periferi të periferisë. Në të shkuarën, në kohë të mira, perspektiva evropiane dhe prosperiteti i saj ishin përçuar në periferinë juglindore, por tani në një kohë krize po eksportohet destabilitet.
Ekonomitë e Ballkanit janë tani aq të integruara në eurozonë dhe një gjë e tillë nuk është çudi. Shumica e eksporteve të tyre shkon në eurozonë dhe remitancat janë shumë të rëndësishme, sidomos për Shqipërinë dhe Kosovën. Pothuajse të gjithë treguesit janë në rënie dhe nuk ka vend për optimizëm në sfond. Në të vërtetë, siç e thekson zoti Bechov për të gjitha qëllimet praktike, Ballkani tashmë është pjesë e BE-së.
Si rezultat, ai argumenton se stanjacioni dhe rritja e papunësisë, sidomos në mesin e të rinjve, ka fshirë mbështetjen për ato parti që Brukseli pëlqen ti quajë reformiste. Votuesit në Ballkan nuk i janë kthyer Europës në vetvete, por ka pak të ngjarë të marrin ndonjë premtim për të ardhme të ndritur.
Gjithashtu shtetet anëtare të BE janë dyshuese më shumë se kurrë rreth asaj se sa janë reformuar në të vërtetë këto vende. Në të vërtetë, ndërsa në progres- raportet e viteve të kaluara janë përdorur standarde të arta nga Komisioni Europian, kësaj here disa vende, përfshi Gjermaninë, kanë nisur të bëjnë kontrollet e tyre. Ata kanë dyshime në lidhje me raportet e përgatitura nga Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerimin, për shkak se ata besojnë se ajo nuk është neutrale në procesin e zgjerimit, pasi ka interesa që këto vende të qëndrojnë në rrugën e integrimit, përndryshe nuk do kenë asgjë për të bërë.
Efekti grek po i ndryshon gjera. Në Ballkan, evropianizimi ishte premtimi për modernizim, pasurim dhe mirëqenie. Por drama greke ka bërë që ky imazh të marrë një goditje të rëndë. Greqia ka qenë një vend model për rajonin, i ngritur nga varfëria në pasuri, nga prapambetja në prosperitet. Tani Greqia është një paralajmërim për rreziqet e evropianizimit pa transformim të thellë.
Tragjedia është se kur rajoni i mbytur nga luftërat dhe problemet e dekadave të fundit të jetë gati për tu anëtarësuar, mund të jetë tepër vonë. Timothy Garton Ash, historian dhe komentator britanik, duke shkruar për Foreign Affairs, parashikon se në të ardhmen BE mund të mbijetojë si një pallat origami letrash dhe institucionesh, që do të bjerë gradualisht si Perandoria e shenjtë Romake.
Zoti Garton Ash mund të jetë gabim dhe deri më tani vendet e Ballkanit nuk kanë shumë zgjedhje, por të vazhdojnë të punojnë drejt anëtarësimit, edhe pse nuk kanë idenë se çfarë BE-je do i presë kur të jenë gati. Por siç argumenton në mënyrë korrekte zoti Bechov, ato duhen inkurajuar për të bërë këtë dhe BE duhet të rinovojë qasjen pasi BE akoma mund të jetë zgjidhja në vend të problemit në rast se nuk e heq zgjerimin nga axhenda politike./The Economist
Bashkëpunimi Shqipëri-OKB, Topalli pret delegacionin e IPU
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti në një takim Grupin Këshillues të Komitetit të IPU për Çështjet e Kombeve të Bashkuara, OKB. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi bashkëpunimin e Parlamentit dhe institucioneve të tjera shqiptare me të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri si dhe zbatimin me sukses të programeve për zhvillim, e veçanërisht të programit Një OKB. Duke iu përgjigjur interesit të përfaqësuesve të IPU, Kryetarja Jozefina Topalli bëri një përmbledhje të shkurtër të historisë së vendit tonë, nga periudha e Mbretit Zog, më pas regjimi diktatorial ku për 50 vite resht, Shqipëria u shndërrua në një nga vendet më të izoluara në botë deri në rrëzimin e këtij regjimi dhe 20 vitet demokraci, ku vendi është transformuar tërësisht. Lidhur me përfaqësimin e grave në Parlament, Kryetarja e Kuvendit tha se tashmë është miratuar kuota 30 % në Kodin Elektoral, megjithëse mbeten ende përpjekje për tu bërë në zbatimin e saj.