E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e parë e shkollës, më i miri i Europës Juglindore

Nga filmi Dita e parë e shkollës, fitues i çmimit të parë për filmin me metrazh të shkurtër në Festivalin e Europës Juglindore,

Atje fëmijët nuk përgatiten qysh prej një muaji për të përzgjedhur çantën më të bukur me Winksa apo Pokemonë. Dita e parë e shkollës është si gjithë të tjerat, në shoqërinë e dhisë dhe ëndrrave me sy hapur i shtrirë në bar, në kullotë. Por është e jashtëzakonshme për mësuesin më të ri të një fshati malor, i cili me zilen në dorë del për të vënë në radhë një oborr të zbrazët. Dita e parë e shkollës është po kaq e jashtëzakonshme edhe për regjisorin Dionis Papadhimitri, i cili përmes internetit mësoi se krijimi i tij ishte shpallur si filmi më i mirë i shkurtër në Festivalin e Kinemasë së Europës Juglindore, që u zhvillua disa ditë më parë në Paris. Veç Papadhimitrit u nderuan me çmime edhe të tjera prodhime shqiptare. U nderua me çmimin Skenari më i mirë shkrimtari dhe diplomati Ylljet Aliçkaj, për skenarin e filmit Kronikë provinciale. Ndërsa çmimi special i jurisë iu dha filmit kosovar Gomarët e kufirit, me regji të Jeton Ahmetajt. Për regjisorin Papadhimitri, sigurisht që ky ishte një rast për tu mbajtur mend, aq më tepër kur lajmi për marrjen e çmimit vjen fare befasishëm. Unë vetë nuk mora pjesë në festival për pamundësi financiare për të shkuar. E

Regjisori- Dionis Papadhimitri

pashë që kisha fituar rastësisht, një ditë pas festivalit, në faqen zyrtare të festivalit, duke bërë një kërkim spontan për të parë kush kishe fituar, thotë Papadhimitri, si për tu shfajësuar pse nuk ishte në një ceremoni ku duhej të ishte. Kjo është edhe një dëshmi e vështirësive që gjithë kineastët e rinj shqiptarë përballin çdo ditë, në sigurimin e financime, jo vetëm për të krijuar, por edhe për të marrë pjesë në një aktivitet ndërkombëtar, fitorja në të cilin nuk është thjesht individuale, por e kinemasë shqiptare në përgjithësi. Dita e parë e shkollës është një film që zgjat vetëm 12 minuta dhe është një copëz jete nga Veriu i Shqipërisë. Filmi është një prodhim i Papadhimitri Film Production, me skenar të dramaturgut Stefan Çapaliku, drejtor fotografie Spartak Papadhimitrin, piktor kostumesh Ardi Asllanin, asistent regjisor Klajd Papadhimitrin, kompozitor Mark Lulin. Interpretojnë: Luis Bilali, Jozef Shiroka, Kol Kaftalli, Frederik Fistani dhe Paskualina Shllaku. Filmi u shpall si prodhimi më i mirë shqiptar në edicionin e gjashtë të TIFF, ndërsa në festivalin e 61-te Prix Italia, në Torino, u përzgjodh një nga 3 filmat më të mirë në prodhimet HD.

Festivali

Ceremonia e ndarjes së çmimeve të Festivalit të Filmit të Europës Juglindore, ku konkurronin filma nga Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Shqipëria, Kosova, Greqia, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia, u zhvillua në sallën e kinemasë Lentropot, në Paris. Juria nderoi me çmimin e filmit më të mirë Piran Pirano, i regjisorit slloven, Goran Vojnoviç. Regjisori më i mirë u shpall Adis Bakraç. Aktori më i mirë u shpall Mustafa Nadareviç, nga Sllovenia. Filmi i animuar më i mirë u shpall E zeza, e bardha dhe ngjyra e Sergio Palesit. Filmi i shkurtër më i mirë, Dita e parë e shkollës nga Dionis Papadhimitri. Dokumentari më i mirë, Duke dëgjuar Stambollin dhe çmimi special i jurisë për filmin kosovar Gomarët e kufirit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›