Juventusi, 100 milionë për Mançinin
Ka disa ditë që një fakt shfaqet qartë, Roberto Mançini shtë kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Juventusit, duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Trajneri italian i Mançester Sitit është në krye të listës së drejtorit të përgjithshëm, Xhuzepe Marrota, të cilin e ndjekin portugezi i Portos, Andre Vilas Boas. Por, për momentin ish-trajneri i Interit nuk u ka dhënë ende asnjë përgjigje krerëve të klubit torinez, pasi për momentin është i përqendruar në blindimin e vendit të katërt në Premier Ligë dhe te finalja FA Cup, kundër Stok Sitit më 14 maj. Pikërisht kjo datë është edhe ultimatumi i Juventusit për të marrë një përgjigje përfundimtare nga ana e Roberto Mançinit. Kjo do të thotë që Juventusi duhet të presë një telefonatë dhe një përgjigje konkrete nga trajneri i Sitit brenda 14 majit. Juventusi ka kontaktuar disa herë me Roberto Mançinin në muajt e fundit, ndërkohë që në javën e kaluar, menaxheri i tij ka qenë i pranishëm në një mbledhje me drejtorin Marrota dhe presidentin Anjeli, në selinë bardhezi. Aty, krerët e klubit torinez kanë kërkuar të kuptojnë kushtet e Roberto Mançinit për tiu bashkuar Juventusit, dhe hapi i parë ka qenë paga 3.5 milionë euro në sezon.
Del Piero, brenda 48 orësh vjen firma
Telenovela lidhur mbi rinovimin e kapitenit Alesandro Del Piero, është fare pranë fundit. Në një takim të ndodhur në mbrëmjen e djeshme, numri 10 i Juventusit dhe presidenti Andrea Anjeli kanë rënë dakord që të firmosin kontratën e tyre të fundit për ikonën 36-vjeçare. Del Piero pritet të jetë në selinë e Juventusit brenda 48 orëve të ardhshme, nga ku do të firmosë kontratën e tij të fundit me klubin torinez, ku është aktivizuar për 18 sezone me radhë. Pas kësaj, pinturikio nuk do të varë këpucët në gozhdë, por me shumë mundësi do të fillojë një aventurë të re në Amerikë, ku Los Anxheles Galaksi ose Nju Jork Red Bulls e presin.