Dita e pestë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës
Në mbrëmje, në orën 20.00 paraqitet “Sekretet” i regjisorit Spartak Pecani. Ky prodhim i përbashkët Shqipëri-Kosovë, realizim i këtij viti, konkurron mes tre filmave të tjerë në seksionin modest të kinemasë sonë. Ka fare pak gjasa që ndonjë element i filmit të fitojë çmim, qoftë në aspektin regjisorial, qoftë të lojës së aktorëve. Është një film i dobët. Kur një kineast jep rezultate kaq të ulëta sa në këtë rast, është shumë i dyshimtë roli i Qendrës Kombëtare Kinematografike, e pakuptueshme politika e saj që mbështet sërish financiarisht regjisorin në fjalë me një projekt të ri në zhvillim.
Në të njëjtën pozitë është edhe “Mao Ce Dun” i Besnik Bishës. Viti 2007-2008 sa mund të quhet i begatë për nga numri i premierave aq mund të quhet dështim produkti final që morëm prej tyre: pak spektatorë brenda vendit, asnjë arritje në arenën ndërkombëtare.
Konkurrimi ndërkombëtar vazhdon në orën 22.00 me “Living and the dead”, bashkëprodhim kroato-bosnjak.
Në oraret paralele të mbrëmjes, por në skenën e improvizuar në amfiteatrin antik të Durrësit, shfaqet në orën 21.00 fimi norvegjez “Mirush” i regjisorit Marius Holst. Në qendër të historisë së “Mirushit” është një djalë nga Kosova me të njëjtin emër që niset drejt Norvegjisë për të kërkuar të atin. Pak kohë më parë filmi ngjalli debate në shtypin shqiptar, pa u shfaqur në asnjë kinema apo ekran televiziv qoftë këtu, qoftë në Kosovë.
Mbyll ditën e pestë filmi kroat “Mrekulli e vërtetë” e regjisorit Lukas Nola.