E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush do ta paguajë haraçin e së nesërmes?

Karakteristikë e shoqërisë shqiptare është fakti se ka një familje të një sistemi të zgjeruar. Problemetballafaqohen me çdo sfidë brenda prindërve dhe fëmijëve ose fisit dhe në këtë qark rrotullohet jeta. Janë shumë të rralla ose nuk kanë ekzistuar fare raste që të zgjidhen problemet në mënyrë individuale dhe të pavarur.

Ndërsa në këtë periudhë në të cilën jemi duke kaluar, kanë ndryshuar shumë gjëra, duke filluar nga struktura e anëtarëve të familjes dhe deri te zgjidhja e problemeve me të cilat ballafaqohemi sot. Familja shqiptare po ndryshon dukshëm psikoformimin e saj nga presioni i jashtëm. Ende shqiptarët vuajnë nga mania e viteve 90’-të e "së huajës". Na duket se jashtë vendit tonë bëhet mrekullia. Por nuk është kështu. Njerëzit janë njerëz dhe mos krijoni iluzione se të huajt janë perëndi. Rreth 70% e çifteve amerikane divorcohen dhe konsiderohet mrekulli që një familje të jetë unike deri në fund.

Të këtij tipi po bëhen edhe familjet shqiptare dhe sipas statistikave të dy viteve të fundit, gati 40-50% e çifteve të reja po divorcohen. Bashkë me dëshirën e mirë për t’u integruar në botën e jashtme kemi zhvilluar edhe probleme të brendshme, duke i dhënë vetes një ndëshkim të rëndë dhe me pasoja të tmerrshme në të ardhmen.

Ne kemi hyrë në një proces të zgjeruar të rikonceptimit bashkëkohor, por pa analizuar dëmet që sjell sistemi i ri në vatrën familjare. Familja shqiptare gjoja po modernizohet, ndërsa në thelb po degradohet, duke vlerësuar me superlativa një koncept moral qarkullues të “familjes së hapur” që bashkëjeton pa kushtëzime të ekskluzivitetit seksual.

Legjislacioni shqiptar është i pasur me ligje e norma që mbrojnë institucionin e familjes. Ratifikimi i shumë konventave, të cilat i referohen të drejtave dhe lirive themelore të njeriut përfshin edhe ruajtjen e integritetit të familjes. Shteti shqiptar ka mirëpranuar këto konventa dhe është shprehur i gatshëm për aplikimin e sanksioneve, të cilat shërbejnë si rregullator të funksionimit të demokracisë brenda familjes.

Po njëkohësisht vendi ynë ka mungesa serioze të agjencive sociale që mund të japin mbështetje për familjarët. Realisht shoqëria jonë është e tejmbushur nga mesazhe politike dhe e kemi harruar kujdesin serioz ndaj familjes, madje edhe e kemi goditur atë. Forcimi i familjes ka më shumë rëndësi se punët e kota dhe shpërdorimit të kohës vend e pa vend.

Përmes mbështetjes së agjencive sociale dhe politikave të mirëfillta ndihmuese, do të ruheshin normat e familjes së integruar edhe praktikisht. Jetojmë në kushtet kur po kufizohet prirja për të patur një familje që të jetë e qëndrueshme, kur shpesh martesat realizohen duke u nisur nga parime të shfaqjes më shumë se sa të thelbit.

Tani nuk flitet më për martesë, por për bashkëjetesë, e cila prodhon pasiguri. Me shumë divorce, varfëri, fëmijë të paedukuar dhe që bëjnë punë të këqija, nëna kryefamiljare po kalojmë nga familja tradicionale me themele të forta në një shoqëri “globale” me ngrehinë të sigurt për denigrim. Në këtë proces me shumë problematika, familjes shqiptare i nevojitet një iluminizëm i ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›