E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëputjet e përditshme të dritave skanë të bëjnë me remontet

Ndërsa ndërprerjet e energjisë elektrike vazhdojnë përditë, është mëse e qartë për çdo qytetar se shkaku për këto ndërprerje nuk janë remontet imagjinare, por qëllimi i thjeshtë për të përmiresuar bilancin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë (OSSH) në prag të privatizimit.

Të gjithë shqiptarët e kuptojnë se këto ndërprerje janë krejtësisht të pajustifikuara dhe përbëjnë një barrë të paarsyeshme financiare që nuk mund të ngarkohet në mënyre të padrejte tek qytetarët. Sipas të dhënave me të fundit të INSTAT, FMN-së si dhe sipas deklaratave të Bankës Botërore rezulton se gjendja nuk është përmirësuar në krahasim me një vit më parë, ashtu siç është shpallur nga qeveria.

Humbjet e energjisë në rrjet vazhdojnë të jenë të njëjta me ato të vitit 2007, në nivelin e 1/3 së energjisë që shpërndahet, pavarësisht reformës në këtë sektor.

Si rrjedhojë, reduktimi i pretenduar i humbjeve të OSSH nga muaji prill nuk është rezultat i aksioneve të ndërmarra për të eliminuar energjinë e pafaturuar, siç është deklaruar më parë nga ky operator, por është rezultat i ndërprerjes së përditshme abuzive të energjisë në shtëpitë e qytetarëve nga Kukësi në Delvinë. Vendi vazhdon të zhytet në terr edhe gjatë ditës, në mënyrë që OSSH të arrijë të gjejë një blerës për paaftësinë e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›