E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e romëve, Sequi: Përfshirja sociale e tyre, çështje evropiane

8 prilli shënon ditën ndërkombëtare të romëve. Në mbarë botën, ky komunitet përveç akttiviteteve sensibilizuese u drejtojnë kërkesa qeverisë për vështëristë me të cilat ndeshen. Në Shqipëri, për shkak se kjo ditë përkonte me Festën e Pashkës, aktivitetet janë zhvilluar dy ditë me herët. Por edhe në këtë rast, romët në Shqipëri nuk drejtuan kërkesat e tyre qeverisë pavarësishtë se problem më i madh i tyre është strehimi.
 

Në mesazhin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, ambasadori I BE-së në Tiranë Ettore Sequi përgëzon komunitetin e Romëve dhe nënvizon nevojën për përpjekje më të fuqishme për përfshirjen e komunitetit rom në Shqipëri.  "Përfshirja sociale e Romëve është një çështje evropiane. Romët janë një prani e lashtë në Evropë dhe si të tillë ata duhet të gëzojnë të drejtat e plota të qytetarisë nëpërmjet një politike të vërtetë përfshirje. Bashkimi Evropian është i angazhuar veçanërisht për këtë qëllim. Si një Bashkim i themeluar mbi vlera të forta, ne duhet të sigurojmë që të drejtat themelore të Romëve të respektohen” ka theksuar Sequi.
 

Ai ka shtuar më tej se përfshirja sociale e romëve duhet të jetë gjithashtu një çështje shqiptare, sepse sipas tij romët janë një prani e lashtë gjithashtu në Shqipëri dhe po ashtu një realitet i ditëve tona.  “Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të Romëve është një ndër 12 prioritetet kyçe të Opinionit mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe si e tillë një prej kushteve për ecjen përpara në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Që të përmbushet ky prioritet është i nevojshëm angazhimi dhe përpjekjet e përbashkëta të autoriteteve kombëtare dhe vendore, shoqërisë civile, medias dhe sigurisht ndërgjegjësimi i të gjithë publikut shqiptar” ka shtuar më tej Sequi.

Ai ka shtuar më tej se të gjithë kanë përgjegjësi të përbashkët t`i japim fund përjashtimit të Romëve nga shkollat, punësimi, kujdesi shëndetësor dhe strehimi.  “Unë jam i ndërgjegjshëm që kjo është një sfidë e madhe. Por kjo është arësyeja pse ne i kemi vendosur vetes objektiva për integrimin e Romëve dhe për t`i vënë ato në jetë kemi nevojë për angazhim të qartë të të gjithëve. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ndihmojë autoritetet shqiptare në mënyrë që të përmirësojnë gjendjen e Romëve në vend. Për këtë qëllim Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion 1.5 milionë Euro nga programi IPA 2012 për përfshirjen sociale të komuniteteve Romë dhe Egjiptianë” thekson Sequi ndërsa e siguroi komunitetin rom në Shqipëri që ata do të gëzojnë gjithmonë mbështetjen e Bashkimit Evropian.
 

Dita Ndërkombëtare e Romëve u shpall e tillë më 1990 në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për diskriminimin dhe margjinalizimin e komunitetit rom dhe të promovojë kulturën Rome.  Në vend, nuk ka statsitika të sakta se sa romë jetojnë por mendohet se ka 250 mijë romë. Origjinat e tyre mendohet të jetë nga India dhe për herë të parë në Shqipëri janë shfaqur në shek X. Pavarësisht se politikat sociale janë orientuar drejt tyre romët sot vuajnë mungesën e arsimimit, të punësimit dhe të strehimit.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›