Dita e veshkës
Aktori i madh nga Gjakova, Hadi Shehu, shijon jetën falë gruas së tij. Para disa vitesh, ai kishte telashe te mëdha me njërën nga veshkat. E ajo që i kishte dalë në ndihmë është bashkëshortja.
“Që kur kam bërë operimin, unë dhe gruaja ime jemi në gjendje shumë të mirë. Ajo vazhdon t’i kryejë punët të cilat i ka bërë edhe para dhurimit të veshkës. Kurse unë, vazhdoj të jetoj”, thotë aktori Shehu për Express.
Por ky është një rast i rrallë në Kosovë. Në ditën botërore të veshkës, ky aktor u ka bere thirrje të gjithë atyre që mund të ndihmojnë të tjerët duke dhuruar veshkë, për të shpëtuar një jetë, ta bëjnë këtë. Ai është njeriu që e di shumë mirë se sa e rëndësishme është shënimi i ditës botërore të veshkës, dhe sa vlerë ka ajo.
Para gjashtë viteve Shehu ishte në gjendje kritike, pikërisht nga sëmundja e veshkave. Në këtë ditë, aktori i Kosovës, përveç që falënderon publikisht gruan e tij, dërgon edhe mesazh. “Nëse dikush është i gatshëm të tregoj një humanizëm të vërtetë le t’i ndihmojnë ata të cilët vuajnë nga sëmundja e veshkave. Le t’u ndihmojnë atyre pa pikë droje, sepse pasojat e tjetrit janë të mëdha”, thotë Shehu për Express.
E motoja e kësaj dite botërore për veshkat është “Ruani veshkat për të shpëtuar zemrën”. Kjo ditë shënohet çdo vit, të enjten e dytë të muajit mars në më shumë se 100 vende të botës. E njëjtë si në mbarë botën, nga viti 2009, shënohet edhe në Kosovë.
Me qëllim të parandalimit dhe shërimit të sëmundjeve të veshkave, Shoqata e Nefrologëve të Kosovës ka organizuar të enjten një seminar shkencor kushtuar Ditës Botërore të Veshkave, me moton “ Mbroni veshkat tuaja-shpëtoni zemrën!”.
Në emër të Shoqatës së Nefrologëve të Kosovës, të pranishmit i ka përshëndetur shefi i repartit të Dializës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ymer Elezi, i cili ka thënë se sëmundjet e veshkave dhe të zemrës janë mjaft të ndërlidhura, andaj kërkohet diagnostikim dhe shërim i hershëm për të mos ardhur deri te komplikimet.
“Mesazhi i kësaj dite është faktikisht mesazh i sensibilizimit të popullatës për zbulimin sa më të hershëm të sëmundjeve të veshkës, sepse kjo është shumë e rëndësishme”, ka thënë Elezi.
Kjo sepse sipas tij, sëmundjet e veshkave popullata zakonisht i zbulon shumë vonë “Kur nuk kemi mundësi që vërtet të bëjmë të shumë për trajtimin e tyre”, u shpreh ai. Sa i përket numrit të rasteve me këto sëmundje, Elezi tha se në Kosovë nuk ka ndonjë statistikë të saktë rreth këtij numri, sipas tij duhet që profesionistët të reflektojnë institucionet shtetërore në mënyrë që të kemi parasysh praninë e kësaj sëmundje.
“Në repartin dializës i kemi 60 pacient që janë në dializë. Kurse shifrën e personave që vuajnë nga sëmundjet e veshkave nuk e dimë”, vlerësoj shefi i dializës, Ymer Elezi.
“Nëse i shikojmë me statistikat botërore edhe në Kosovë nuk janë më të vogla edhe pse nuk kemi statistikë të saktë, po mendoj se numri është ndoshta edhe më i madh me sëmundje kronike renale duke e ditur kushtet e jetës dhe problemeve tjera jetësore”, pohon ai.
Kurse nefrologu Myftar Barbullushi, përfaqësues i Shoqatës shqiptare të nefrologjisë tha se promovimi i kësaj dite i kushtohet një organi të neglizhuar në mbarë botën.
“Veshka është një organ i cili është organ i neglizhuar, të paktën në Shqipëri, kam bindjen që edhe në Evropë dhe botë”, u shpreh i bindur Barbullushi.
“Është neglizhuar sepse veshka nuk qan, nuk bërtet, sepse veshka edhe kur ka humbur 95 për qind të funksionit të saj qëndron e heshtur’ dhe kur kujtohemi është vonë, dhe kur kujtohemi ne shohim që veshka jo vetëm që vret shëndetin, por vret dhe buxhetin”, ka thënë nefrologu Barbullushi. Ai shtoi se me qëllim të parandalimit të sëmundjes së veshkave njerëzit duhet të konsumojnë deri në tre litra ujë në ditë, të mos pinë cigare dhe alkool, si dhe të merren me aktivitete fizike.
Fakte për sëmundjen e veshkave
Simptomat
Urinim me ngjyre te kuqe, acarim mendor i shpejtë, dhimbje koke, apati, ere karakteristike e frymës, mpirje te duarve, këmbëve, lodhje e shpejte, rënie e sasisë së urinës, ënjtje ne këmbë ose fytyrë, humbja e oreksit dhe rritje te presionit arterial.
Shkaktarët
Ende nuk është e qartë se cilët janë shkaktaret kryesore qe shkaktojnë këto sëmundje, por me i rëndësishmi mbetet trashëgimia. Sëmundjet ne veshka shkaktohen edhe nga sëmundje te tjera kronike siç janë diabeti, tensioni arterial si dhe sëmundjet e zemrës. Përveç kësaj edhe rritja e sasisë së sheqerit në gjak, ndikon drejtpërdrejtë në shfaqjen me sasi të albuminës. Pacientët, të cilët vuajnë prej vitesh nga veshkat dhe kjo e fundit kur humb funksionin e kanë të nevojshme kryerjen e dializës.
Diabeti
Rreth 40 për qind e diabetikëve janë të predispozuar të vuajnë nga sëmundjet e veshkave dhe kërkojnë transplantim, dializë apo hemodializë. Por ky grup pacientesh është edhe më i rrezikuari për të humbur jetën me shpejt se ata persona që vuajnë nga sëmundjet e tjera kronike. Sipas mjekëve, jetëgjatësia e personave të cilët mosfunksionimin e veshkës e kanë "dhurate" nga një sëmundje tjetër, mund të jetojnë 5 deri në 10 vjet.