Punonjësit e ish-Trasingut kërkojnë pagat
Punëtorët e ish-ndërmarrjes së rrugëve "Trasing" të Prishtinës kanë protestuar të enjten para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, për të kërkuar 15-16 pagat e garantuara nga procesi i privatizimit të ndërmarrjes.
Punëtorët paralajmëruan se do të vazhdojnë me protesta dhe nëse nuk merret parasysh kërkesa, atëherë do të hyjnë në grevë.
Përfaqësuesit e punëtorëve thonë se qysh më parë kanë pasur takime me zyrtarë të AKP-së, të cilët u kanë premtuar zgjidhjen e këtij problemi, ndërsa kujtojnë se pagat kanë qenë të premtuar nga viti 2005, kur është privatizuar ndërmarrja.
Ismet Lahu, përfaqësues i punëtorëve protestues, ka thënë se ata do të vazhdojnë të protestojnë për pagat e garantuara nga zëvendësdrejtori i ish – AKM’së, Ahmet Shala.
“Në 2005 firma është privatizuar, por nuk kemi pasur të drejtë në paga, kurse edhe në vendim shkruan, përkatësisht në likuidim dhe ne krejt me ligj e kemi bërë këtë procedurë edhe tash vetëm e zvarrisin”, tha Lahu.
Tërësisht janë 45 mijë euro borxh paga për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje.
Lahu tregon se gjatë kësaj jave e kanë pasur edhe një takim me zëvendëskryeministren Mimoza Kusari-Lila, por thotë se nuk kanë pasur asnjë rezultat.
Punëtorët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me protesta dhe nëse nuk merret parasysh kërkesa e tyre që të jepen sa më parë pagat, atëherë do të hyjnë edhe në grevë.