E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëmbyesit e fëmijës kërkonin 100.000 euro

Nga Express më 11 mars 2011 në ora 12:31

Gjykata e Qarkut në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim, Valon H. dhe Bashkim M., nën akuzën se kanë kryer katër vepra penale të rrëmbimit në bashkëkryerje, lëndim i lehtë trupor, detyrim në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Valon H. (31) i lindur në Istog, me vendbanim afër shtëpisë së familjes Zatriqi, në rrugën “Hilmi Rakovica” në Prishtinë, baba i tre fëmijëve, me profesion farmacist, dhe Bashkim M., (29) nga Vrella e Istogut, tashmë janë vënë prapa grilave për rrëmbimin e fëmijës së kirurgut Skënder Zatriqi të enjten e kaluar. Rrëmbimin e kishin kryer me qëllim të përfitimit financiar në vlerë të paktën 50 mijë euro.

Policia të enjten ka dorëzuar në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë kallëzimin penal një kopje të të cilit e ka siguruar “Koha Ditore”, kundër dy të dyshuarve. Në bazë të këtij kallëzimi Gjykata u ka caktuar paraburgimin sipas kërkesës së prokurores, Fikrije Krasniqi. Në të përshkruhet e gjithë ngjarja nga dita e rrëmbimit të fëmijës deri ditën e arrestimit të të dyshuarve.

Dy ditë pas rrëmbimit, më 5 mars, të dyshuarit i kishin dërguar një mesazh nga një numër i Maqedonisë në numrin e Violetë Zatriqit, duke i kërkuar 50 mijë euro. Ata po i jepnin edhe afat që të nesërmen në orën 19:00 duhej t’ua dërgonte paratë te Stacioni i trenit në Pejë, në të kundërtën kamata do të dyfishohej në 100 mijë euro, ose djali do të rrëmbehej prapë dhe do t’i vritej. Ata shkruanin se nëse nuk e bënin këtë, djali i tyre “do t’u dërgohej në qese të zezë copë-copë”.

Me autorizim të Policisë, e cila edhe po e siguronte 24 orë familjen Zatriqi, Violeta po u përgjigjej këtyre mesazheve kërcënuese duke kërkuar kohë për pagesën dhe duke kërkuar që afati të shtyhej pasi nuk i kishin paratë. Më 6 mars në orën 21:52, paratë ishin dërguar në vendin e caktuar, rrëmbyesit kishin dërguar një mesazh tjetër po nga numri i Maqedonisë në telefonin e Violetës, duke i thënë se tashmë duhej të paguante 100 mijë euro, sepse, sipas tyre afati kishte kaluar.

Ata urdhëronin që pagesa të bëhej menjëherë, duke ia përsëritur fjalët kërcënuese, duke tentuar që me çdo kusht që këtë familje ta mbanin në ankth me qëllim që të bëhej pagesa e kërkuar më së largu të premten.

Policia e Kosovës kishte vënë kontakte me autoritetet maqedonase për të kërkuar të dhëna se në emër të kujt ishte i regjistruar numri i telefonit, ndersa informacionet që kishin marrë tregonin se numri fillimisht ishte aktivizuar në Maqedoni e pas orës 15:00 kishte hyrë në Kosovë. Kjo gjë është arritur të verifikohet dhe ishte konstatuar se i dyshuari Valon H. në orën 15:24, më 5 mars kishte hyrë nga Maqedonia në Kosovë përmes pikës kufitare në Glloboçicë.

Më 8 mars Policia kishte organizuar një operacion rreth orës 14:00, duke shkuar në barnatoren e Valonit në Lypjan, ku edhe e kishin arrestuar. Në xhepin e tij i ishte gjetur sim kartela e Maqedonisë, nga e cila ishin dërguar mesazhet telefonike, ndaras nga aparati telefonik, i cili ishte gjetur në tavolinë dhe që përputhej numri i tij serik, siç kishin raportuar autoritetet maqedonase, në të cilin ishte futur kartela.

Policia kishte futur këtë kartelë në telefon dhe kishte dalë se të dhënat përputheshin si me numër telefoni, ashtu edhe me numër serik. Në kartelë është gjetur edhe mesazhi telefonik i dërguar nga Violeta.

I rënë në duar të Policisë, Valon H. kishte pranuar se e kishte rrëmbyer Y. Zatriqin bashkë me Bashkim M., i cili në atë moment gjendej në Pejë. Me udhëzim të Policisë i dyshuari kishte kontaktuar shokun e tij Bashkimin dhe kishte lënë takim në Pejë në parkingun e një qendre tregtare, ku edhe ishte arrestuar.

Pasi janë intervistuar, Valon H. është mbrojtur në heshtje, ndërsa Bashkim M. e ka pranuar se i ka kryer veprat penale. Nga dita e enjte ata ndodhen në paraburgim në pritje të ngritjes së aktakuzës dhe fillimit të gjykimit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›