E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dita më e errët e jetës time”/ Xhoana Nano mes lotëve: Sot e kuptoj pse rashë në dashuri me Fatosin

Gjatë fjalës së saj të lamtumirës, bashkëshortja e Fatos Nanos, Xhoana Nano, e nisi duke e cilësuar këtë të dielë, ditën më të errët të jetës së saj.

“Të dashur miq e dashamirës, i nderuar zoti kryeministër! Dita e sotme është dita më e errët dhe e trishtuar e jetës! Po ndahem me njeriun me të cilin kalova një çerek shekulli jetë e me të cilin më lidhën ëndrrat, shpresat e zhgënjimet e përbashkëta! Është një nga ato ditë që nuk do doja ta jetoja kurrë, e tillë është kjo ditë edhe për fëmijët tanë! Unë një vajzë fare e re, rashë në dashuri me Fatosin, atëherë nuk e kuptoja pse, por tani e di, kisha rënë në dashuri jo thjesht me atë si person, por njëkohësisht edhe me vizionin e një Shqipërie ndryshe, komplet tjetër nga ajo që jetonim, që përherë e më shumë lipsej të largohej nga barbaria, primitivja”, tha Xhoana Nano mes lotëve.

Më tej, ajo shtoi se, ai Fatos Nano ishte shumë më tepër se një figurë publike.

“Ishte i ndershëm me veten dhe të tjerët, e donte këtë vend me gjithë shpirt, nuk hoqi kurrë dorë nga përpjekja për ta parë Shqipërinë, mbi të gjitha, më njerëzore. Sot kam një ndjenjë të lartë mirënjohjeje që pata fatin ta njihja, që eca krah tij, që qeshëm e jetuam bashkë.

Dua t’i them publikisht, faleminderit Fatos, që ishe ky që ishe! Që e dhe veten tënde të gjithin pa kursim, për mua, për vendin tonë! Do të mbetesh përherë në kujtesën tonë, jo vetëm si burrë shteti, por si njeriu ynë! U prehsh në paqe pranë Zotit!”

Prej orëve të para të mëngjesit, mijëra qytetarë dhe personalitete  i kanë dhënë lamtumirën e fundit ish-kryeministrit dhe ish-liderit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, në një ceremoni shtetërore të zhvilluar në “Pallatin e Kongreseve”.

Ish-kryeministri Nano mbylli sytë më 31 tetor, në moshën 73-vjeçare. Ai ndërroi në një spital privat, ku po kurohej prej disa javësh nga një sëmundje në rrugët e frymëmarrjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›