Dita më pas

Ardian Klosi
Ardian Vehbiu
Dan Klosin e varrosën sot pa ia kursyer lëvdatat, të merituara vetëm se, duke i dëgjuar dhe lexuar fjalët e mira, vështirë të mos mendoje se qoftë edhe një e dhjeta e tyre do ti kishin dhënë shumë zemër të ndjerit, kur ishte ende gjallë.
Duhet të jesh pak i vrazhdë në perceptim, ose ndoshta edhe krejt i pandjeshëm e kushedi edhe pak i trashë nga trutë, që tia kuptosh vlerën tjetrit vetëm kur ai largohet përgjithnjë nga kjo jetë. Në rastin e Dan Klosit, pastaj, kjo vlerë nuk do të zëvendësohet dot njëlloj si të ishte fjala për një artist të madh të mirëfilltë.
Prej kohësh ai bënte diçka të rrallë për kulturën shqiptare: ia katalizonte ngjarjet. Këtu një përkthim, atje një prezantim libri, më tej një shfaqje teatri, pastaj një kiosk në një panair, një kurs për studentët. Publiku i gjerë hynte kësisoj në kontakt me kulturën dhe këtu kam parasysh autorë të kalibrit të Kafka-s, Brecht-it, Böll-it, Dürrenmatt-it dhe dhjetëra të tjerëve. Me punën e tij të palodhur, kishte krijuar një si ndriçim të brishtë, ose edhe një garanci se gjithçka e lidhur me emrin e tij do të ofrohej me kulturë dhe cilësi të lartë.
Kjo ndodhi ngaqë, siç mund ta dëshmoj personalisht, Dan Klosi ishte një shqiptar nga të paktët, qytetar me ndjeshmëri të rrallë, kozmopolit dhe i shëtitur si pakkush, por njëkohësisht edhe një nga njerëzit më të lidhur me Shqipërinë reale, që unë kam njohur ndonjëherë.
Kjo ndjeshmëri e mbante vetiu larg çdo vulgariteti, ose shtirjeje, ose manie për tu dukur dhe për tu fryrë. Kishte një krenari prej patrici, të cilët ndonjëherë ia merrnin gabimisht për fodullëk por në të vërtetë ishte njeri jashtëzakonisht i matur, i përkorë, dhe pa komplekse. Një nga shokët e tij më të ngushtë në vitet e universitetit vinte nga një fshat i Kukësit poet i hollë dhe njeri i mençur; por një snob me siguri nuk do ta kish bërë dot. E kam gjetur ndonjëherë kuksianin të ulur në tavolinë me Dan Klosin, në shtëpinë e këtij, të hanin supën e nxehtë që u kish gatuar Jolanda (nëna e Danit) fare natyrshëm, madje edhe pa atë kënaqësinë vanitoze të dikujt që po i jep mikut të varfër të hajë.
Kishte pastaj edhe dashurinë për letërsinë dhe artet gjithashtu të sinqertë, pa kurrfarë poze të studiuar. Se kam kapur kurrë atë njeri të interesohej për produkte masive, filma të Hollyëood-it ose pjata të tjera të fast food-it me të cilin shumë prej nesh ushqehemi më shpesh se çkujtojmë. Edhe një roman policor që pat përkthyer në krye të herës, nga dy autorë suedezë (Maj Sjöëall and Per Ëahlöö, botim pothuajse subversiv, për ato vite), ishte vepër letrare e shkruar mirë.
Filozofia si spekulim nuk e ngacmonte shumë; tjetër tipar i rrallë, ky, për njeriun intelektual, dhe veçanërisht për intelektualin made in Albania, që gjithnjë rreket ta spërkatë audiencën e vet me pak cërka pështyme nga Nietzsche-ja ose, fundja, edhe Ëeber-i. Ia pata gjetur dhe dhënë hua, dikur në fillim të viteve 1980, një kopje të Hyrjes në psikanalizë të Freud-it, të cilën nëse e mbaj mend mirë ai e filloi pak por e la pastaj përgjysmë, meqë sikur e humbi interesin. Një tjetër në vend të tij do ta kish gëllabëruar, qoftë edhe vetëm si simbol të kundërkulturës në Tiranën e atyre viteve.
Ishte, pra, natural në fushën e vet, lëvizte në kulturë si peshku në det, e dallonte të mirën dhe të bukurën vetvetiu dhe i pëlqente sakaq që ta bënte të vetën duka ua dhënë të tjerëve; teksa funksiononte si pikë referimi për shumëçka kulturore të mirëfilltë dhe sidomos ambicioze, në botën shqiptare. E tërhiqnin poezia dhe teatri, historia e letërsisë dhe e filologjisë shqipe; mes veprave që nxori nga dora së fundi, ishin një vëllim shqipërimesh të mrekullueshme, me art gjuhësor si të Nolit, të disa poezive erotike të Brecht-it; si dhe vepra e plotë e Ali Asllanit, të cilën e përgatiti për botim.
Një njeri që kërkon të duket, të bëjë emër për veten, të fitojë financime dhe favore nga politika, nuk merret me veprën e plotë të Ali Asllanit; as me erotikën e Brecht-it; dhe kaq mjafton do të mjaftonte për ti bindur skeptikët, dhe ata që hanë pykë, se Dan Klosi kishte një pasion jashtëzakonisht të rrallë, për ti shërbyer me përkushtim kulturës, gjuhës dhe arsimit shqip.
Kohët e fundit e mundonte edhe frika se mos botimet elektronike dhe përhapja e lexuesve numerikë, si Kindle, do tia shkatërronin pasionin e tij të madh editorinë. Mbaj mend të kemi biseduar disa herë për këtë; unë isha më optimist, dhe besoja sikurse edhe e kam shkruar këtu në blog se botimet elektronike do tia rritnin vlerën librit si vepër arti, ose si kënaqësi shfletimi, letre, arome, teksture, dhe ilustrimesh; teksa do të ruanin pyjet nga motosharra e industrive të letrës. Sa për shqetësimin tjetër, se mos Interneti po e mësonte publikun me idenë se vlerat kulturore mund të ofrohen edhe falas, e kishim të dy gati përgjigjen: çe keqe i ka ardhur letërsisë deri më sot nga bibliotekat?
E akuzuan, me ashpërsi dhe ndonjëherë me keqdashje të paparë, për Skënderbeun e Schmitt-it; dhe akuzat i erdhën nga krahu që gjithnjë e më tepër kërkon të monopolizojë, me arrogancë, flamurin e patriotizmit dhe të atdhedashurisë.
Në të vërtetë, unë pakkënd kam njohur, mes atyre që kanë mundur të bëjnë diçka këtë periudhë, që ti ketë shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve si ai: jo vetëm me përkthimet dhe botimet (është bashkautor deri edhe i një fjalori shumë të mirë gjermanisht-shqip), as vetëm me ngjarjet e shumta kulturore që organizonte, por edhe me angazhimin e tij në shoqërinë civile dhe në betejat qytetare për mbrojtjen e mjedisit gjithnjë duke i qëndruar larg politikës; dhe në beteja të tjera, si ajo për ndriçimin e katastrofës së Gërdecit, ose përmirësimin e teksteve të shkollave publike.
Kush sheh listën e titujve që Klosi ka përkthyer dhe botuar, dhe të librave të tjerë që ka përgatitur (mjaft të përmend ribotimin e Netëve pellazgjike, të Reinholdt-it, ose një numër të madh antologjish të prozës); kush mat me sy vargun e ngjarjeve kulturore të promovuara e të ndërmjetësuara vetëm e vetëm nga vullneti dhe pasioni i tij, mund të përfytyrojë se çfarë i dhuroi ai publikut shqiptar, në krahasim me bie fjala katedrat universitare, publike dhe private, dhe institucionet që marrin fonde, tituj dhe mbrojtje nga shteti.
Natyrisht, Klosi nuk punonte me paratë që merrte nga babai. Kish vendosur lidhje të vetat, private, me fondacione dhe institucione të tjera anembanë botës, dhe i kish bindur të mbështetnin botime dhe veprimtari, të cilat, si rrallëherë në Shqipëri, konkretizoheshin. Paraja në Shqipëri është derdhur e madhe këto njëzet vjet, por të paktën ato pak fonde që ka marrë Klosi, si individ, i gjen sot të materializuara në vepra, ose në formimin intelektual të publikut dhe të brezit të ri.
Të gjitha këto, e bëjnë Dan Klosin të pazëvendësueshëm. Në përpjekjet e veta, ndonjëherë krejt ingrate, i qëllonte shpesh të ndeshej ballë për ballë me taborin e ziliqarëve, katundarëve të shpirtit, inatçinjve dhe urithëve, që kërkonin ta pengonin, meqë ky takëm njerëzish janë krijuar veç për të penguar, ose për të trupëzuar, në zellin e tyre prej krokodilësh, entropinë sociale. Këtyre u duhen shtuar pastaj edhe të gjithë ata të tjerët, që e mbuluan me lapërdhi, vetëm ngaqë përktheu dhe promovoi një libër që, sipas tyre, përdhoste figurën e Skënderbeut; dhe që e përdorën mllefin dhe vrerin e tyre shpesh të shtirur si pretekst, që të identifikoheshin pastaj faqeza si patriotë.
Ndonjërit prej tyre, që kushedi mi lexon këto radhë tani, do ti thoja që Dan Klosi është dhe do të mbetet mishërimi i shqiptarit patriot të vërtetë, që i