E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjodhëm Kullën si simbol të shqiptarëve, e bëmë të hapur se liria duhet ruajtur

Rubens Shima

Valeria Dedaj

Fillimisht u njohën me historinë, traditat dhe kulturën e shqiptarëve, pastaj arritën në përfundimin se objekti për 100 vjetorin e pavarësisë, duhet të kishte një konstrukt simbolizues për shqiptarët. Për këtë zgjodhën kullën mbrojtëse. Kulla hapet, e njëkohësisht hapet dhe rruga e lirisë, – sipas arkitektëve. Ky ishte projekti fitues për 100 vjetorin e pavarësisë me dy autorët, njëri nga Kosova Visar Obrija dhe tjetri nga Gjermania Kai R. Kiklas.

Pati dhe disa zëra kritikë në media, për shembull artisti shqiptar Fate Velaj, i cili thotë se ajo është një kopje e monumentit të tij të vendosur në qytetin e Pogradecit  që prej vitit 2009, ndërsa të tjerë e cilësojnë këtë projekt, si huazim ose kopjim  nga punët e skulptorit Riçhard Serra, ndërsa disa të tjerë e konsiderojnë si një manovër politike të qeverisë në momentin kur nuk u përmbushën premtimet e mëdha për stadiume, parlamente të rinj në 100 vjetor, etj. Dje në ambientet e Galerisë së Arteve dy arkitektët e projektit së bashku me Rubens Shimën, dhanë një konferencë për shtyp.

Vizitori mund të përjetojë drejtpërdrejtë ndjenjën e shtypjes?

Kulla në formë të hapur. Ky ishte argumenti i paraqitjes së projektit. Pse kullë e hapur? Sepse pavarësia e fituar, – sipas dy arkitektëve, –  nuk është një ngjarje, por është një gjendje e cila vazhdon. Prandaj, duhet që liria dhe pavarësia të ruhen, duhet punuar më tepër për to. Monumenti përbëhet nga dy pjesë të së njëjtës Kullë, të paraqitura në formë të hapur dhe të kthyer. Çatia sipër, në pjesën e parë të Kullës, mund ti ngjallë vizitorit një lloj ankthi. Vizitori mund të përjetojë drejtpërdrejtë ndjenjën e shtypjes. Në brendinë e këtyre dy mureve do të paraqiten dy elemente specifike që ndërlidhen drejtpërdrejtë me ditën e shpalljes së pavarësisë. Në brendinë e pjesës së parë të monumentit do të paraqitet deklarata e pavarësisë, ndërsa në brendinë e pjesës së dytë do të paraqitet shqiponja dy krenare.

Gjerësia e bazamentit të monumentit do të jetë 4 x 4 metër katror, ndërsa lartësia do të jetë 8 metra. Materiali prej të cilit do të ndërtohet monumenti është metali i çelikut, ndërkaq nga jashtë ajo do të vishet me pllaka (katrorë) bronzi. Veshja e këtyre pllakave në murin e jashtëm do të bëhet në dy forma: një pllakë vendoset me kulm nga jashtë, ndërsa tjetra me kulm nga brenda. Secila pllakë do të largohet nga njëra-tjetra në distancë prej 1 cm, me qëllim që të bartet ndriçimi jashtë nga dritat e vendosura në mes të murit të çelikut dhe pllakave të bronzit.

 

S’kemi marrë në konsideratë as sfondin politik, as motivacionin politik kur konkurruam

Pyetjes së Shekullit nëse qëndrojnë akuzat për kopjim dhe akuzat e tjera sipas të cilave, vendimi për këtë monument u mor në rrethana politike të mos-mbvajtjes së premtimeve për objekte të mëdha si Stadiumi apo Parlamenti i ri, – dy arkitektët iu përgjigjën duke thënë fillimisht se kanë ardhur disa herë në Tiranë për realizimin e këtij projekti për të njohur me aspektet historike të këtij vendi.

Ndërsa për projektet e ngjashme ata shprehen se janë informuar vetëm nga mediat, pohojnë gjithashtu se nuk kanë pasur asnjë kontakt të mëparshëm me artistët personalisht, dhe as me punët e këtyre artistëve. Gjithnjë kemi pasur parasysh aspektin historik, arkitektonik, kulturor dhe traditën shqiptare gjatë projektimit të kësaj ideje. Na vjen shumë keq që tani akuzohemi padrejtësisht se gjoja projekti ynë është ide e kopjuar- u shprehën dje gjatë konferencës autorët.

Ata këmbëngulin se nëpërmjet këtij objekti kishin si qëllim të përcjellin ndjesinë e izolimit, të të qenurit të shtypur, prandaj për ta kulla është një objekt  që nuk mund të përfaqësoj të gjithë historinë e një populli. Ndërsa për sfondin politik ata thonë: Kur u shpall konkursi, ne morëm pjesë në këtë konkurs pa marrë në konsideratë sfondin politik, apo motivacionin politik që qëndron apo nuk qëndron pas kësaj. Për ne ishte një konkurs mes artistësh për  vlerat historike të objektit.

Rubens Shima: Lexim i cekët dhe moskuptim i veprës

…Për disa artikuj që ka pasur në media për huazimin apo kopjimin e këtij projekti nga ndonjë artistë shqiptar apo i huaj, më duhet të them se në këndvështrimin tim është një lexim i cekët dhe për rrjedhojë një moskuptim i plotë si veprës së dy arkitektëve, por dhe i projektit të monumentit të 100 vjetorit të pavarësisë. Projekti i zgjedhur është një vepër që frymëzohet qartazi në mënyrë shumë të kthjellët nga kulla, simbolika e shqiptarëve. Një kullë e cila propozohet e  hapur nga dy volume dhe rruga që është zgjedhur si simboli i hapjes së kombit drejt lirisë. Anëtarët e jurisë janë duke bërë një kërkim në Tiranë për të gjetur një vend të përshtatshëm se ku mund të ndërtohet ky monument. Sepse ky projekt përjashton çdo lloj mundësie që ky monument të vendoset pranë qendrave të banuara. Ky objekt kërkon, një lulishte, një park  apo një mjedis të gjelbëruar, kjo është marrë në konsideratë nga juria dhe do të merret dhe nga Bashkia e Tiranës….

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›