E Diel, 1 Nëntor 2026

Ditari i një gazetareje televizive ...

Më në fund duket se dita, kur të gjithë ne të mos kemi më nevojë për viza për të qarkulluar jashtë kufijve të Shqipërisë, nuk do të jetë e largët. Gjasat janë që në fund të këtij viti ne të ndihemi më në fund të lirë të qarkullojmë ku dhe kur të duam pa u detyruar të plotësojmë formularë e dokumente pa fund. Një premtim i cili po bëhet realitet, mbase sepse ka ardhur koha apo se Europa u lodh me ne.

17 korrik
Pranë detit, por jo i qetë

Në këto ditë të nxehta korriku, kur ke frikë të dalësh jashtë, pasi temperaturat kanë arritur në 40 gradë Celsius dhe i nxehti të përvëlon, shumë prej nesh dëshirojnë të qëndrojnë pranë bregut të detit apo nën freskinë e pemëve në mal. Kjo është dëshira që kam dëgjuar më shumë në këto ditë, ndërsa për shumë prej nesh pushimet e gjata janë ende larg. Por bregdeti i Durrësit nuk është asnjëherë i largët për kryeqytetasit e aq më tepër kur vapa është e padurueshme. Pasditja atje është e qetë dhe më e freskët, por gjithçka shndërrohet në stres kur ndeshesh me kanalet gjigante të ujërave të zeza, që kundërmojnë erë të keqe e që derdhen direkt e në det. Era është aq e rëndë sa për të kaluar duhet jo vetëm të shpejtosh, por edhe të evitosh të kesh kontakt me ujin e detit, pasi marrja e ndonjë infeksioni në këtë zonë është gati e pashmangshme. Eh shëtitja në zonën e plazhit të Golemit bëhet edhe më e çuditshme, kur para teje ngrihet një godinë dhjetërakatëshe, që është jo më shumë se 50 metra larg vijës së bregdetit dhe që ka zaptuar të gjithë hapësirën ranore ku mund të qëndronin pushuesit. Për vite me radhë Ministria e Mjedisit dhe e transportit ka premtuar herë pas here ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve për të gjitha objektet e reja, çka do të sillte përmirësim të ujërave të detit, por edhe të rërës. Duhet të jesh me fat dhe të kesh imunitet të fortë që të mos prekesh nga këto infeksione, që shpesh godasin fëmijët e vegjël.

Korrik
Kujt duhet t’i besojmë...

Drafti i arsimit të lartë, i hartuar në zyrat e Ministrisë së Arsimit, është kundërshtuar më së shumti nga ekranet televizive dhe shtypi i shkruar. Dekanë e rektorë kanë argumentuar mbi dhjetëra pika të këtij drafti, ku cenohet rëndë autonomia akademike. Ky debat mediatik më në fund mbërriti në Komisionin e Edukimit, ku ministri i Arsimit mohoi publikisht deklaratat e Rektorëve, të cilët njëzëri në këtë pikë pranuan se Ministria e Arsimit nuk është konsultuar me ta për hartimin e këtij drafti. Por edhe në këtë komision nuk pati komunikim mes ministrit dhe rektorëve. Kreu i Shkencës u largua dhe rektorët zunë vendin për të treguar se në ç’këndvështrim e shihnin ata këtë draft. Debati mbeti sërish mediatik. Pasi në komision kreu i Arsimit tha krejt i qetë, por pa dhënë asnjë detaj, se ky draft është bërë në konsultim me rektorët dhe se autonomia nuk cenohet. Sipas tij, cikli i diplomave është tërësisht në rregull dhe nuk shkakton asnjë problem në fakultete. Por të zotët e shtëpive që iu është lënë menaxhimi direkt i arsimit, thonë me zë të lartë se i kanë duart e lidhura e nuk mund të bëjnë asnjë punë pa marrë më parë leje në ministri.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›