E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi dhe politika jonë

Ekonomia shqiptare prej kohësh është në rënie. Cikli aktual i biznesit i ka pothuajse të tërë parametrat në nivelet më të ulëta. Parametrat makroekonomikë, atribut i qeverisë për t’u menaxhuar dhe për t’u mbajtur në nivele të afta të nxisin veprimtarinë e biznesit, duket se mezi po mbahen në kufijtë e pranueshmërisë. Kjo jo vetëm për periudhën afatshkurtër. Të tërë indikatorët ekonomikë përgjatë periudhës së 20 viteve të fundit kanë pasur luhatje të mëdha, gjë që ndikon në ecurinë jonormale dhe me risk të lartë të biznesit. Alternativat e strategjive ekonomike të deritanishme kanë qenë të paafta të garantojnë zhvillim të qëndrueshëm. Më specifikisht, gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar dhe gjatë gjysmës së parë të vitit aktual, rritja ekonomike ka qenë në nivelin më të ulët të 20 viteve të fundit, rreth 2–3%, kursi i këmbimit të monedhës vendase kundrejt euros, dollarit dhe monedhave të tjera të forta ndërkombëtare ka shfaqur luhatje të mëdha, hyrja e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga taksat dhe doganat ka shfaqur mangësi si skemë, shpenzimet buxhetore gjithashtu, ka pasur biznese që janë regjistruar rishtazi, por edhe mjaft të tilla janë mbyllur, niveli i prodhimit ka rënë në veprimtaritë kryesore ekonomike, veprimtaria eksport–import nuk është kanalizuar në logjikën e avantazheve konkurruese, sektori bankar ka treguar shenja joprijëse për nxitjen e veprimtarisë ekonomike dhe të biznesit, skema e pensioneve ka shfaqur defektet e saj etj. Këto nuk janë shenja të mira dhe, edhe pse situata fare lehtë mund t‘i faturohet qeverisë, në fakt është një kambanë për të tërë ne. Prej kohësh disa specialistë, ndër më të mirët në vend, kanë vënë theksin në vështirësitë që po kalon ekonomia, por pjesa tjetër e shoqërisë ka bërë fare pak që kjo situatë të kthehet në problem kryesor për të tërë ne. Ky është një luks shumë i madh për një vend kaq të varfër, në të cilin mungon forca lëvizëse e shoqërisë, shtresa e mesme, pikërisht kjo shtresë që në vendet ku ekziston ka treguar se është më e interesuara për ekonominë dhe biznesin, që kur janë në situata normale, sjellin zhvillim dhe qëndrueshmëri. Përgjatë tërë kohëkalimit të kësaj situate, klasa politike në vend nuk ka treguar aspak vizion dhe largpamësi, por është marrë vetëm me çështjen e saj kryesore, pushtetin. Kjo klasë politike edhe situatën ekonomike në rënie dhe gjendjen jonormale të klimës së biznesit e trajton jo si çështjen kryesore, por si një mekanizëm për marrjen dhe/apo mbajtjen e pushtetit. Forcat në pushtet mburren me arritjet dhe mrekullinë ekonomike shqiptare, “që e ka zili çdo vend në botë”, ndërsa opozita çirret e bërtet se “vendi është në një krizë të thellë të gjithanshme”, por se si dilet nga kriza nuk e thotë. Në llogoren e vet të shkalafitur, komuniteti i biznesit, i përçarë, pa liderë të aftë të shikojnë përtej parametrave makroekonomikë dhe deklaratave të ministrave të Financave dhe Ekonomisë dhe i paaftë të zbërthejë thëniet sofiste të pakuptimta të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, nuk është në gjendje të marrë në dorë situatën, e cila fare lehtë mund të përshkruhet si një përballje midis një lope që nuk bën qumësht se nuk ka për të ngrënë dhe një dhie që e ngre bishtin përpjetë se është gjëja e vetme që di të bëjë; një lopë që nuk di të gjejë as edhe ushqimin e vet dhe një dhi që nuk është në gjendje të dallojë as edhe zgjeben e vet. Biznesi, që ende nuk e ka kuptuar se është lokomotiva që tërheq vendin drejt zhvillimit, përballë politikës, që ende nuk është e gatshme të marrë pozitën e mekanikut, e cila duhet të kujdeset për lokomotivën, që kërkon mirëmbajtje, pjesë ndërrimi dhe vaisje për të ecur fort përpara.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›