Sejfulla Malëshova, nderohet në 110-vjetorin e lindjes
Një nga sheshet kryesore të Fierit do të njihet me emrin sheshi “Sejfulla Malëshova”. Vendimi për emërtimin e këtij sheshi, që quhej “Sharra”, është marrë disa javë më parë nga këshilli bashkiak, ndërkohë që për ceremoninë përkatëse, e cila u zhvillua dje në mesditë, Bashkia e Fierit ka mundësuar ndërtimin e një memoriali për figurën e publicistit të njohur Sejfulla Malëshova. Busti në nder të tij është punuar nga skulptori Haxhi Kalluçi. Me një stil të veçantë dhe me një karakteristikë punimi që Kalluçi e përdor shpesh, daljen nga korniza e një portreti sa të konturuar aq edhe sintetik, figura e Sejfulla Malëshovës, i njohur me emrin e artit Lame Kodra, do të jetë gjithmonë e pranishme në atë rrugë që poeti ndoqi vitet e fundit të jetës së tij, ndërsa ishte në internim në Fier. Nderimi i Lame Kodrës erdhi në kuadër të 110-vjetorit të lindjes. “Malëshova paraqiste një figurë të shqetësuar. Jeta e tij kaloi mes dritës dhe errësirës dhe si shkak i instrumentalizimit të mbrapshtë për të shkon shprehja se “revolucioni ha bijtë e vet”. E kështu ndodhi edhe me poetin e madh përmetar”, tha Moikom Zeqo, i pranishëm në ceremoni. Aktiviteti në nder të figurës së Malëshovës ka vijuar në sallën e shkollës artistike “Jakov Xoxa”. Në këtë konferencë ishin të pranishëm profesor Nasho Jorgaqi si dhe dhjetëra artistë, publicistë, bashkëkohës dhe dashamirës të Malëshovës. Po ashtu në vijim të ditës së nderimit të Lame Kodrës është promovuar edhe libri “Vakerrjoti”, autor i të cilit është Piro Titon. Kështu e ka kujtuar Fieri, ku Malëshova jetoi internimin dhe vdiq i izoluar, në 110-vjetorin e lindjes.
#