E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ditë Dimri 2012" mbledh piktorët e njohur në Pogradec

POGRADEC - Ditë Dimri 2012" është një takim i natyrshëm miqsh dhe artistësh, një aktivitet i nevojshëm dhe i domosdoshëm mes krijuesish të artit pamor, një eveniment kulturor i pasforcuar, që nuk bëhet për të përmbushur agjendën kulturore të aksh institucioni apo aksh drejtuesi. Pa protokoll, pa ftesa zyrtare dhe pa asnjë shtysë të kësaj natyre, funksionon ky aktivitet, që ofron një ballafaqim profesional mes artistësh, që ofron një dialog kulturor mes piktorëve më në zë sot në Shqipëri. Prandaj kjo veprimtari në çdo edicion të ri fiton fizionominë e saj, çdo herë ajo fiton dhe forcon identitetin dhe autoritetin e saj. "Ditë Dimri 2012" është edicioni i tretë i kolonisë së lirë të artit, që mbahet në qytetin e Pogradecit, qytet ky që ofron natyralisht atmosferë krijuese, qytet i vogël që i ka dhuruar kulturës kombëtare poetë, prozatorë dhe piktorë të mirënjohur. Pogradeci është qyteti që frymon poezia, rrëfimi, vizatimi, ngjyra, të imponuara nga peizazhi i variueshëm, por veçanërisht nga prania e liqenit të Ohrit mes malesh. Nuk është rastësi që në këtë mjedis pjellor ka hedhur shtat lirika si gjini. Njerëzit që jetojnë në këto vise, mbase ndryshe nga shumë vende të tjera, të diktuar nga natyra përreth, kanë si preokupim të tyre artin, në të gjitha manifestimet e tyre. Ndoshta si një komunikim sui generis midis njeriut dhe natyrës, për shkak të pranisë së ujërave të liqenit dhe rrafshit që krijon rrëzë maleve përreth, qetësisë, vegjetacionit, butësisë së njerëzve që e popullojnë këtë trevë etj. Qysh në përçapjen e parë të lindjes së këtij aktiviteti, u vu re serioziteti dhe profesionalizmi në përzgjedhjen e autorëve dhe punimeve, që kanë ofruar autorët pjesëmarrës në këtë veprimtari. Organizatorët e kanë menduar si një aktivitet të hapur, si një mundësi, ku artistë profesionistë të pikturës dhe arteve pamore mund të takohen dhe manifestohen lirshëm. Është një tubim i artistëve të lirë në një qytet piktoresk, ku përpos dialogut mes artistëve, natyra ofron një mundësi të dytë, dialogun mes artistit dhe natyrës. Në këtë veprimtari janë ekspozuar artistë të traditës dhe bashkëkohorë, artistë me rezonancë si: Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Hasan Nallbani, Kujtim Buza, Buron Kaceli, etj. I gjithë aktiviteti është ideuar nga fotografi i mirënjohur Ardian Fezollari dhe nga piktori-poet i hapësirave, Vangjo Vasili në bashkëpunim me artistët e tjerë vendorë. Vazhdimësia është çelësi i suksesit - kjo është moto e organizatorëve,- ndaj ata ndodhen në këtë edicion të tretë të kësaj veprimtarie. "Ditë Dimri 2012" do të paraqesë një aktivitet kulturor me një fytyrë të qartë. Ai do të dëshmojë se po kthehet në një aktivitet të përvitshëm dhe që po fiton autoritetin dhe reputacionin e një aktiviteti dinjitoz kombëtar.
Pjesëmarrësit e këtij edicioni janë: Gazment Leka, Bashkim Ahmeti, Helidon Haliti, Ali Oseku, Arben Golemi, Artur Muharremi, Gentian Zeka, Gjergji Lako, Vangjo Vasili, Anastas Kostandini - akëcili prej tyre, një personalitet i pikturës bashkëkohore shqiptare. Duhet theksuar qysh në fillim të herës, se cilësia e punimeve pjesëmarrëse, nuk është me natyrë të përkohshme dhe të improvizuar për një ekspozitë, që do të hapej për të mbuluar veprimtarinë, por kemi të bëjmë me vepra me natyrë muzeore. Ekspozita dominohet me autorë që trajtojnë figura gjysmë-abstrakte, të evidentuara nga lojërat e dritave dhe të hijeve, nga fjalori plastik dhe nga përpunimi i kompozicionit. Ekspozita ka në përbërje të saj metafora plastike të përpunuara nga sy i formuar kulturalisht dhe nga njohuritë teknike që dëshmojnë artistët për fshehtësitë e profesionit.
Gazment Leka, duke përdorur larueshmëri në tensionet kromatike dhe formale, u jep tablove të tij një karakter emblematik. Me trajtat e pikturës metafizike krijon një hapësirë të çuditshme, me ndihmën e disa imazheve të trajtuara në mënyrë realiste, por të ngrira në situatë të pazakontë dhe një ndriçimi që krijon një pamje kataleptike. I ngjashëm me një Giorgio de Chirico, Leka kërkon t'i përcjellë spektatorit një meditim metafizik vetanak.
Arben Golemi, në ngopje ngjyrore, i jep magjinë e formave arkitekturore në hapësirë, i interesuar për gjeometrinë, për ritmin e formave arkitekturore, në harmoninë që emetojnë ato në hapësirë, i dehur në morfologjinë e ndërtesave, në ngjyrat që mbulojnë fasadat dhe peshën e tyre, sjell dy punime me tone tërësisht të personalizuara.
Të shkëputura nga mjedisi i natyrshëm dhe të shfaqura më vete, si personazhe në hapësirë me hapje në pafundësi, sendet e jetës sonë fitojnë madhështi dhe mister. Sendet dhe hapësira që sjell piktori Ali Oseku të çojnë drejt meditimeve filozofike.
Bashkim Ahmeti vjen me punime me sintaksë kuptimore dhe plastike komplekse, objekte, sende me ngarkesë të posaçme formojnë një kashtisje imazhesh që ndërthuren si në terren onirik. Tablotë e tij janë manifestime "të aventurave" të mendjes njerëzore, me tensione surrealiste, me skena plot detaje historike, shenja peizazhi, shenja kulturore që bashkëjetojnë në një kuadrat të vetëm. Automatizmi psikik i pastër i "pacensuruar" nga arsyeja, presupozon përjetimin onirik, paraqitja e një bote fantastike, në të cilat qeniet dhe sendet sillen në mënyrë absurde, duke sfiduar ligjet e fizikës.
*Piktor
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›