Ditëlindja e Bashës

Për kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha, dita e djeshme ka qenë më e veçantë se të tjerat, pasi ka përkuar me 39-vjetorin e lindjes së tij.
Por kjo ditë për të, më shumë se një ditë feste, ka qenë një ditë e ngarkuar me shumë angazhime, të cilat kanë startuar në orën 9:30 të paradites dhe janë mbyllur me mitingun e orës 20:00 në Laprakë.
Ditëlindjen kreu i bashkisë e ka kaluar mes inaugurimeve, takimeve me banorët në njësinë nr.2, por edhe me takime me qytetarë në ambientet e bashkisë. Ditëlindja e tij, 12 qershori, nuk është harruar nga bashkëpunëtorët, por edhe punonjësit e bashkisë, të cilët i kanë dërguar buqeta me lule, shkruan BW.
Ndërkohë që dhuratën më të çmuar kreut të bashkisë së kryeqytetit ia ka bërë Deçani, pasi një ditë më parë është nderuar me medaljen e artë që mban emrin e heroit të Kosovës, Shkëlzen Haradinaj. Në një ceremoni në kullën e Haradinajve, në Gllogjan të Deçanit, kryetarit të bashkisë i është dorëzuar medalja me motivacionin për mirënjohjen dhe mbështetjen që ai i ka dhënë Kosovës. /Indeksonline/