E Diel, 1 Nëntor 2026

Ditëlindja e Profetit Muhamed, Berisha: Brenda vitit inagurojmë xhaminë e re

TIRANË- Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi sot në Pallatin e Kongreseve, për të shtatin vit rradhazi, programin festiv "Profeti Muhamed a.s- Krenaria e Njerëzimit”.
Në këtë koncert festiv ishte i pranishëm edhe Kryeministri Sali Berisha, përfaqësues të komuniteteve fetare, trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, etj.

Në ceremoninë e përvitshme që organizohet nga ky komunitet, kryeministri Berisha premtoi ndërtimin e Xhamisë së re për 100-vjetorin e pavarësisë së vendit.
“Kryeqyteti pret me padurim xhaminë, shumë shpejt me kryetarin e Bashkisë do ta inaugurojmë atë. Liria e të gjitha lirive është liria e besimit, besimi tek zoti është burimi më i pashtershëm i forcës shpirtërore të njeriut”, tha më tej Berisha.

Një nga risitë e këtij eventi ishte pjesëmarrja e këngëtarit të suksesshëm mysliman, Sami Yusuf, i cili do të sjellë për publikun shqiptar ilahi të reja, por dhe ato që e bënë të famshëm në botën e artit, kryesisht nga albumi “Mualim”, i cili ka shitur më shumë se 5 milion kopje.

Dashuria e tij për Zotin dhe “anën shpirtërore”, siç ka pranuar ai, luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e muzikës dhe teksteve të tij. Një nga qëllimet e tij është paraqitja e besimit islam në formën e tij të vërtetë dhe të pastër si dhe inspirimi i të rinjve për të ndjekur ëndrrat dhe aspiratat e tyre në jetë.

Sami Yusuf është një kompozitor dhe këngëtar i njohur dhe mjaft i dashur për myslimanët. Ai lindi në vitin 1980 në Londër në një familje me origjinë nga Azerbajxhani. Që në fëmijëri ai u lidh ngushtë me muzikën, i nxitur edhe nga i ati që ishte muzikant.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Ditëlindja e Profetit Muhamed, Berisha: Brenda vitit inagurojmë xhaminë e re

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›