E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngazëllim në përkujtim të Profetit Muhamed

Ky qëllim në vetvete, u bashkua sot në një ditë përkujtimi për qindra e mijëra besimtarë myslimanë ndaj Profetit Muhamed. Pallati i Kongreseve në Tiranë, më i madhi në kryeqytet, ishte i tej mbushur dhe dyert nuk mund të mbylleshin për shkak të njerëzve që vinin rend.

Nga të gjithë anët dhe nga trojet shqiptare përtej kufijve shtetërorë, u mblodhën sot në programin festiv të organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i ndihmuar edhe nga Fondacioni arsimor “Sema” dhe Universiteti Hëna e Plotë, BEDËR.

Në vitin e shtatë të këtij programi, i ftuar special ishte edhe këngëtari i lindur në Britaninë e Madhe, Sami Yusuf, i cili ka sjellë përpara një publiku të gjerë këngët e tij më të njohura të kënduara live. Në programin "Profeti Muhamed a.s- Krenaria e Njerëzimit”, u kënduan gjithashtu pjesë nga Kur’ani dhe pjesë të zgjedhura poetike nga autorë të huaj dhe vendas, të recituara me mjeshtri nga aktorët e njohur si Fatos Sela, Gëzim Rudi dhe Mirush Kabashi. Gjatë programit janë shfaqur edhe pjesë arti Islam të krijuar drejtpërdrejt, si piktura në ujë apo forma vizuale në rërë.

Berisha: Këtë 100 vjetor edhe me xhaminë e madhe

Përveç përfaqësuesve të komuniteteve fetare në vend, ambasadorë dhe një sërë personalitetesh të tjera, në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli si dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Në fjalën e vet përshëndetëse, Berisha tha se kjo është një festë e madhe për të gjithë ata që duan të ndërtojnë të ardhmen bazuar në dijen dhe në respektin e madh ndaj Zotit. Kryeministri vlerësoi figurën e profetit Muhamed, si burri që ndriçoi mendjen e njeriut dhe të njerëzimit dhe shenjtëroi dijen dhe mësimin për mbarë njerëzimin.

Meqë ditëlindja e këtij viti kremtohet në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë, kryeministri shprehu mirënjohjen, nderimin dhe respektin më të thellë për kontributin shekullor të Komunitetit Mysliman Shqiptar, si dhe të gjithë komuniteteve fetare shqiptare, për Shqipërinë në rrugën e pavarësisë dhe të progresit. Pas përshëndetjes së mbajtur, një artiste turke i dhuroi  kryeministrit Berisha një punim në pikturë të flamurit shqiptar, dhuruar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Duke falënderuar artisten, Kryeministri Berisha u shpreh: “Zonja më dhuroi flamurin, kombit mik turk i kemi dhuruar himnin”

“Kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk e kanë vlerësuar dhe nderuar më me dinjitet dhe më bukur se sot, Profetin Muhamed. Kurrë ndonjëherë besimet fetare nuk kanë qenë më të forta dhe më të sigurta se sot, në 100 vjetorin e Shqipërisë së pavarur. Me këtë rast më lejoni të shpreh nderimin tim më të madh për burrin që nuk e kemi sot këtu, por që dha aq shumë në mbrojtje të besimit, të vlerave të ndërtimit të infrastrukturës shpirtërore myslimanë të Shqipëri, Haxhi Hafiz Sabri Koçi”, tha Berisha. Ai shtoi se në këtë përvjetor të pavarësisë, Kryeqyteti pret me padurim Xhaminë. Shumë shpejt së bashku me kryetarin e Bashkisë do ta inaugurojmë fillimin e saj.

“Liria e të gjithë lirive është liria e besimit sepse besimi tek zoti është burimi më i pashtershëm i forcës shpirtërore të njeriut. Asnjë komb, asnjë vend nuk e ka më të përsosur se ne shqiptarët lirinë  e besimit, sepse liria në të vërtet është aftësia e njeriu për ta disiplinuar veten. Liria tek shqiptarët është liria e respektit të palëkundur të besimeve të tjera. Çdo ditë, çdo javë, çdo muaj çdo vit më i madh, më ndriçues, më i rëndësishëm do të bëhet në rajon dhe në botë shembulli i shqiptarëve, toleranca e tyre e shkëlqyer  fetare, burim frymëzimi për njerëzit e lirë”, shtoi.

Rreth Sami Yusuf

Këngëtari i njohur në të gjithë botën, Sami Yusuf, mori famë kryesisht nga albumi “Mualim”, publikuar në vitin 2003, i cili ka shitur më shumë se 5 milion kopje.  Dashuria e tij për Zotin dhe “anën shpirtërore”, siç ka pranuar ai, luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e muzikës dhe teksteve të tij. Sami Yusuf lindi në vitin 1980 në Londër në një familje me origjinë nga Azerbajxhani. Që në fëmijëri ai u lidh ngushtë me muzikën, i nxitur edhe nga i ati që ishte muzikant. Ai ka zhvilluar koncerte në SHBA, Evropë, Egjipt, Arabi Saudite, Turqi, etj.

Një ndër koncertet e tij madhështore ishte ai i zhvilluar në stadiumin “Wembley” në Angli, por koncerti i zhvilluar para pak kohësh në Stamboll tejkaloi çdo parashikim, ku morën pjesë mbi 250 mijë persona. Në vitin 2006 Time Magazine do ta cilësonte Sami Yusufin: “Ylli më i madh i muzikës islame”. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2012-04-07 14:59
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›