Ditët e Filmit Shqiptar në Strugë
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me Komunën e Strugës, do të organizojë në qytetin e Strugës "Fest Film Struga 2008", Ditët e filmit shqiptar në Strugë. Aktiviteti organizohet nën patronazhin e kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko, në prag të sezonin veror me qëllimin për të afruar më shumë publikun e Strugës me kinematografinë shqiptare, me të cilën ka qenë vazhdimisht i lidhur. Aktiviteti organizohet nga data 5-9 maj 2008 në Pallatin e Kulturës së qytetit. Do të ketë dy seanca shfaqjesh: në orën 18.00 me filma për rininë dhe seanca e orës 20.00 me disa filmat më të mirë artistikë të prodhuar vitet e fundit, filma të vlerësuar me çmime dhe pjesëmarrës në mjaft aktivitete ndërkombëtare. Në seancën e orës 20.00 do të ketë pjesëmarrje të veçantë të personaliteteve të artit, kulturës dhe politikës maqedonase si dhe personalitete shqiptare. Kineastët e ftuar nga Shqipëria do të kenë takime me publikun.
Aktiviteti mbështetet nga donatorë të qytetit, ministria e Kulturës e Maqedonisë, Forumi Rinor i BDI-së, Strugë. Producent është Valon Xhila, organizatorë Vait Ajro dhe Flori Balliu, koordinator Mynim Bajraktari.