Një ditë me "ata, fëmijët ndryshe"
Ditët dhe netët gdhihen thuajse njësoj për ta. Janë fëmijë. Por nuk kanë shumë lojëra e as kohë për të luajtur. "Loja" më e zakonshme për ta është gjetja e kanoçeve të vogla, mbetje të pijeve që i kanë konsumuar "të tjerët".
Askush nuk mund ta dijë me saktësi se çfarë mendon një prej tyre, kur merr nga toka një kanoçe... Mund ta ketë pirë një bashkëmoshatar i tij...
Një nga ata, që nuk kanë nevojë të mbledhin kanoçe për të patur një vakt ushqim; një nga ata që duart i ka të buta dhe të bardha si të çdo fëmije, jo të pista dhe me kallo si të tijat... Një nga ata që ai i sheh prej gardhit të hekurt nga jashtë, kur luajnë shkujdesur dhe të zhurmshëm në oborret e shkollave...
Jemi në Njësinë Bashkiake Numër 8, as afër, as larg Tiranës. Gjithkujt që ka kaluar në këtë copë rruge që të nxjerr pranë Unazës së Re në dalje të Tiranës, e ka vënë re atë komunitet të vogël romësh dhe fëmijët e tyre, që të afrohen me sy lutës tek xhami i makinës.
Dikur, disa vite më parë, me karakatinat e ndërtuara buzë Lanës dhe ndërtimet e shumta dhe rrugët e ngushta e të baltosura, askush nuk i shihte. Ndoshta atëherë ata ndiheshin më mirë. Por sistemimi i infrastrukturës së zonës, heqja e kioskave dhe asfaltimi i rrugës, e ka nxjerrë "botën" e tyre të vogël, në dritë. E jo vetëm kaq. Strehët e tyre të sajuara me dërrasa e copa teneqeje, bien përditë e më tepër në sy. Ndoshta edhe pse rrotull tyre, pallate të rinj e plot ngjyra që shpojnë qiellin triumfues, shtohen nga muaji në muaj. Shtohen duke iu avitur përditë e më kërcënueshëm si një gjigant i madh, i rëndë e babaxhan, grumbullit të vogël të kasolleve të vogla e të shëmtuara. Aty jetojnë fëmijë.
E kush e vret mendjen se çfarë ndjejnë ata. Ndoshta do të donin dhe ata si gjithë të tjerët të kishin mundësinë të uleshin në bangat e shkollës, të recitonin vjershën e parë, të shkruanin emrat e prindërve të tyre, por…Jeta nuk është për të gjithë njësoj. Ja që ata duhet thjesht të mbledhin kanoçe dhe të mësojnë vetëm ato fjalët që i shpëtojnë nga belaja "më fal ndonjë lek"...
E pyesim një prej tyre, nëse ka qejf të shohë kukullat në televizor. Na thotë se i ka parë. E pyesim, ku? Përgjigjet që i ka parë disa herë në një televizor lokali, duke u fshehur prapa xhamit, nga pjesa e jashtme. Nuk ka zgjatur shumë, gjithsesi... E mban mend. Nuk qëndroi gjatë sepse koha fluturonte dhe duhej të shkonte shpejt për të kontrolluar kazanët e plehrave, aty pranë...
Duken të përçmueshëm, por mjafton të mendosh që nuk kanë për ta ditur kurrë se si është të jesh fëmijë, që të të dhimbsen... Koha dhe lodhja e kanë bërë të vetën. Kanë lënë gjurmë ndoshta të pashërueshme mbi ta. Sytë nuk kanë shkëlqimin e syve të një fëmije, shikimi është i venitur.
E megjithatë, sytë e tyre shprehin shumë. Mjafton t'i shohësh! Me fjalë sa më të thjeshta u kërkojmë të na tregojnë diçka për ditën e tyre, për botën e tyre. Shtangen në një moment, fiksojnë sytë diku e mbeten pa fjalë. U kalon ky moment turbullimi e më pas fillojnë dhe flasin. Po të bisedosh një gjysëm ore me ta, arrin të kuptosh diçka: Nuk vuajnë shumë se janë të detyruar të fitojnë që tani jetesën e tyre, nuk vuajnë shumë për faktin që nuk kanë mundësi argëtimi, nuk vuajnë shumë që nuk kanë mundësi të kalojnë pushime në det, apo në mal... Ajo që i bën të vuajnë, është që nuk trajtohen si gjithë fëmijët e tjerë. Dhe vuajtja e tyre, është vuajtja e tyre! Mos prisni ta shfaqin siç e shfaqim ne "normalët".
E sikur të mos mjaftonin këto, duhet të vuajnë dhe faktin që një mëngjes mund të gdhihen pa shtëpi. Një 14-vjeçar, R.N., kujton se gjatë jetës së tij në këto banesa, të cilat fatkeqësisht nuk mund të quhen të tilla, janë gjendur dy herë në qiell të hapur.
Nuk janë lodhur bashkë me prindërit e tyre ta rindërtojnë shtëpinë. Kur i sheh, të vjen në mend një thënie nga librat fetarë: "Zoti që ushqen zogjtë, do gjejë diçka dhe për mua...".
Lana është një lumë i cekët dhe i pistë, por për ta është një vijë kufiri e gjatë dhe domethënëse. Matanë lumit gjendet një botë tjetër, armiqësore, por e domosdoshme.
Ata më çapkënët marrin guximin të kalojnë lumin, me shpresën për t'u bërë pjesë e lojës të fëmijëve të pallateve shumëngjyrëshe, por refuzimi i tyre i bën të kthehen mbrapsht, e t'i kthehen lojës së tyre të zakonshme, të bëjnë gara se kush hedh më shumë gurë në Lanë në pritje të një kalimtari bujar apo një makine që ndalet, ul xhamin dhe "normali" brenda tregohet i njerëzishëm…
V., 9 vjeçe, sapo ka humbur këpucën. Fillon frika. E vështirë të mbath këpucë të tjera pa marrë një ndëshkim të rreptë nga prindërit.
Ata do ishin më të fortë pa vuajtjet, pa urinë, pa lotët, pa ëndrrat e vrara, pa fëmijërinë e pajetuar. Do dëshironin që... E, fundja, ç'rëndësi ka çfarë dëshirojnë ata… Ne "normalët" do vazhdojmë t'i shohim me përçmim, edhe pse kjo na bën vërtet të përçmueshëm...