E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditët e Topit si Njeri i lirë

Pas 5 vitesh tepër impenjative si kryetar i shtetit shqiptar, për ish-presidentin Bamir Topi është koha të pushojë. Që nga mbrëmja e 24 korrikut kur i dorëzoi mandatin pasardhësit Bujar Nishani, jeta e tij ka ndryshuar. Para derës se banesës nuk e pret më eskorta presidenciale. Kështu që ish-kreu i shtetit ka mundësi të ushtrojë qetësisht pasionin për të drejtuar makinën. Mëngjeset nisin me kafe të gjata me miq, të afërm e kolegë. Zoti Topi tregoi sot për Vizion Plus disa nga planet e afërta, por edhe me perspektive, në një ambient në periferi të Tiranës dhe pranë banesës së tij private. Ai thotë se ditët e para pas përmbylljes së mandatit presidencial do të organizojë një tur pushimesh me familjen, që do të përkojë me pjesën e parë të muajit gusht. Dhe vetëm nga fundi i gushtit zoti Topi do të rikthehet në Tiranë. Në axhendën paraprake të tij janë përvijuar takime më të shpeshta me bashkëpunëtorë, diplomatë e politikanë. Pas këtyre bisedave, ka pohuar ish-kreu i shtetit, do të pasojë vendimi mbi të ardhmen e tij, që nuk duket se do të jetë larg politikes. Madje, bazuar në deklarimet e mëparshme publike të zotit Topi, është lënë të kuptohet se e ardhmja i përket një angazhimi të qartë politik. Shumë njohës e komentues të zhvillimeve në vend, por edhe bashkëpunëtorë të ish-presidentit, e lidhin përfshirjen e tanishme të Topit me partinë Fryma e Re Demokratike. Ky formacion politik drejtohet aktualisht nga një grup nismëtar, ndërsa posti i kryetarit është ende vakant. Megjithatë ky është një vendim që duhet ta marrë vetë ish kreu i shtetit, natyrisht pas pushimeve të ditëve të para si qytetar i lirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›