Vendimi për Kasajn, Tahiri: Do paguani një më një të gjithë, ndaj mos u rehatoni kurrë
Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për shpalljen e pafajshëm të Armando Kasajt, ka reaguar deputeti socialist, Saimir Tahiri. Sipas këtij të fundit, askush nuk duhet të rehatohet, pasi do e paguajë një më një atë që ka ndodhur më 21 janar.
Vendimi i sotëm është vrasje për herë të dytë.
Sot jemi të fyer e të lënduar të gjithë bashkë, në radhë të parë familjarët e 4 qytetarëve të pafajshëm që u vranë në 21 janar, pastaj ne e të gjithë shqiptarët që panë me sy vrasësit të qëllonin nga brenda Kryeministrisë duke lënë të vrarë 4 qytetarë e qindra të plagosur.
Vendim gjykate do thonë. Po. Por një vendim absurd, skandaloz, vendim i blerë e kriminal, nga një gjyqtar që familjarisht është i lidhur ngushtë me pushtetin politik, dhe madje ngushtësisht me Presidentin e sapozgjedhur.
Sot specialisti i Kryeministrisë u shpall i pafajshëm. Dhe kjo është parathënia edhe për gardistët, dhe për vetë komandantin e Gardës, që akuzohen për vrasjen e 4 protestuesve.
Por i them e i premtoj sot, tani, nga kjo foltore e në emër të të gjithë kolegëve të mi deputetë të PS, të të gjithë mbështetësve të PS, të të gjithë qytetarëve të ndershëm të këtij vendi pavarësisht bindjeve politike:
Armando Kasaj: Sot mund të jesh liruar nga vendimi i një gjyqtari të kapur me ndihmën e pushtetit të Kryeministrit, shefit tënd. Por mos iu gëzo shumë vendimit. Çmimin që ke për ti paguar drejtësisë e ligjit nuk do e shmangësh dot kurrën e kurrës.
Ky premtim vlen dhe për gardistët dhe komandantin e Gardës. Vlen dhe për gjyqtarin e sotëm e të gjithë gjyqtarët e tjerë, të kapur nga koka te këmbët në korrupsion e shërbim të pushtetit. Vlen për Sali Berishën, Lulzim Bashën, Gjergj Lezhjën e këdo tjetër që nga kontribuar shumë apo pak në vrasjet e 21 janarit, shprehet deputeti socialist.
Gjykata sot hodhi poshtë ekspertizën e Prokurorisë, por mbi të gjitha, ekspertizën e FBI dhe autoriteteve amerikane, duke lënë pa fajtor e fajësi autorin e fshirjes së filmimeve ku sigurisht dallohen jo vetëm ata që gjuajtën me armë ndaj protestuesve, por edhe ata që urdhëruan vrasësit brenda gardhit të qeverisë, vijon me tej Tahiri.
Sipas deputetit socialist, specialisti i Kryeministrisë që fshiu filmimet nuk ka pasur e nuk ka imunitet, as si deputet, as si zyrtar i lartë dhe as si gjyqtar.
Por sot rezultoi i paprekshëm dhe i padënueshëm nga drejtësia. Sepse ka imunitetin e Sali Berishës, për shkak të paktit të heshtur që ka Kryeministri, Qeveria, mafia, krimi dhe gjykata e gjyqtarët, të gjithë bashkë në sipërmarrjen e përbashkët për të mbrojtur pushtetarët dhe të gjithë shërbëtorët e tyre.
Nuk ka korrupsion që ndëshkon qeveritarët, me apo pa imunitet. Nuk ka as vrasje që dënon qeveritarët, me apo pa imunitet.
Dhe çfarë duhet të ndodhë akoma për tu bindur se gjyqësori është uzurpuar e gjunjëzuar nga pushteti i kryeministrit? Dhe çfarë duhet të ndodhë akoma për tu bindur se ajo që duhet shkulur nga rrënjët, një orë e më parë, është imuniteti që garanton Sali Berisha me lëkurën e tij, me paratë e tija, me pushtetin e tij, me gjyqtarët e tij.