Basha bredh me makinën e një biznesmeni tropojan, e parkon mbi trotuar
Një nga arritjet në 1-vjetorin e punës në Bashki për Bashën ka qenë edhe një Benz superluksoz, të cilin e parkon mbi trotuar në Bashki, për të mos e pasur larg syve.
Kështu raporton Shqiptarja.com., që shkruan se makina superluksoze kushton së paku 90 mijë dollarë.
Por ajo që të çudit është se makina me targa AA 111 DD nuk është në pronësi as të bashkisë së Tiranës dhe as të vetë kreut të bashkisë Lulzim Basha. Kjo makinë rezulton të jetë në pronësi të Përparim Mulaj, me origjinë nga Tropoja, por që është banor në rrugën “Stavri Themeli” në Tiranë.
Siç duket edhe nga modeli i targave, kjo makinë është blerë së fundmi dhe është regjistruar pranë autoriteteve përkatëse pas janarit të vitit 2012. Shqiptarja.com shkruan se zoti Mulaj është një ndërtues i njohur dhe se makinën ia ka dhënë për përdorim kreut të bashkisë Lulzim Basha.