E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditet e filmit hollandez ne Tirane

Ditët e filmit hollandez kanë mbërritur në Akademinë e filmit “Marubi”, përmes një mbrëmjeje të veçantë.
Organizatori i këtij eventi Kujtim Cashku bën me dije se filmat që do të projektohen trajtojnë tema universale.
Edicioni i katërt nis me filmin dokumentar prej 8 minutash “Rrotulluesit” i regjisorit Andre Schreders, i cili ka përzgjedhur edhe programin e këtij viti.

“Është kënaqësi të jem mes jush për herë të parë në Tiranë. Jam munduar të përzgjedh filma me tematikë aktuale social kulturore. Premiera e filmit tim ka në qendër një vend ku vallëzohet. Aty janë të pranishëm të moshuar, të cilët kërcejnë dhe kujtojnë me nostalgji rininë e tyre në këtë ambient. Me pak fjalë është luajtur në dy kohë”.

Filmi i dytë i projektuar i metrazhit të gjatë “Qyteti i heshtur” mban firmën e Threes Ana në qendër ka një grua, e cila rrugëton në Tokio për të mësuar artin e përgatitjes së peshkut. Të jetosh në metropolin japonez është si të jesh në ujë, ku mund të notosh, por edhe mund të mbytesh.

Për gjatë tre ditëve të edicionit të katërt do të shfaqen 4 filma me metrazh të shkurtër dhe 4 me metrazh të gjatë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›