E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditët e numëruara

Manuel Pellegrini, pas shpenzimit të mbi 250 milionë eurove në përpjekje të ndalë dominimin e Barcelonës, duket se do të jetë trajneri i nëntë nga viti 2003 që largohet nga Real Madridi.

Nën presion të madh pas eliminimit nga Liga e Kampionëve dhe Copa del Rey, e ardhmja e kilianit duket edhe më e errët pas humbjes 2-0 në shtëpi nga Barcelona të shtunën në El Clasico.

Humbja e ktheu Realin tri pikë prapa kampionit Barcelona, shtatë ndeshje pa përfunduar kampionati dhe rrezikon të jetë një tjetër sezon pa asnjë titull.

Pas shpenzimeve të bëra verën e vitit të kaluar – ardhjes së Cristiano Ronaldos dhe Leite Kakas – Pellegrinin e priste një sfidë e madhe në sezonin e tij debutues në Madrid, e sidomos për faktin se finalja e Ligës së Kampionëve do të zhvillohet në stadiumin Santiago Bernabeu.

“Unë nuk jam ai që duhet të flet rreth qëndrimit tim apo kualiteteve dhe punës që kam bërë. Kam ndjenja të përziera të zemërimit dhe pafuqisë. Barcelona nuk ishte ekipi që ka qenë në të kaluarën, por ata shënuan një gol dhe kjo i vendosi në pozitë më të mirë”, tha Pellegrini i cili më herët gjatë këtij sezoni përcolli ekipin e tij duke u eliminuar nga ekipi i ligës së tretë Alcorcon në Copa del Rey, nga Lyon në rrethin e dytë të Ligën e Kampionëve, ndërsa humbja në El Clasico i lë në pozitë të vështirë për titull në La Liga.

Nga viti 2003 Real ka pasur nëntë trajnerë të ndryshëm. Tetë të kaluarit nuk kanë arritur të përfundojnë dy sezone në drejtim të ekipit dhe emrat si trajneri i Interit, Jose Mourinho, Rafael Benitez (Liverpool) dhe Arsene Wenger (Arsenal) janë përmendur si pasardhës.

“Kanë mbetur edhe 21 pikë për të luajtur dhe Real Madridi nuk do të dorëzohet. Jemi të obliguar të detyrojmë Barcelonën të fitojë të gjitha ndeshjet e saj dhe do të vazhdojmë deri në fund”, insistoi Pellegrini.

Para ndeshjes të së shtunës, Real kishte 15 fitore nga po aq ndeshje në shtëpi dhe 12 fitore të njëpasnjëshme, ndërsa qëndronte lider mbi Barcelonën në bazë të golaverazhit më të mirë.

Mirëpo, Reali u dominua nga Barcelona dhe golat nga Lionel Messi (minuta 32) e Pedro Rodriguez (55) e dënuan gjigantin madrilen në humbjen e katërt të njëpasnjëshme në El Clasico. Reali është mysafir i Almerias të enjten, ndërsa Barcelona e pret Deportivo La Corunan 24 orë më vonë në Nou Camp.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›