E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina fiton pas dy episodesh

Sigal Prishtina e ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale të play-offit, që pati dy episode, pasi e mposhti Pejën me rezultat 79:60. Në fakt, të hënën mbrëma u zhvillua vetëm një çerek e gjysmë lojë, pasi që pjesa tjetër ishte luajtur të dielën, kur edhe ishte ndërprerë takimi për shkak se në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë pikonte çatia.

Për fat të mirë, të hënën gjërat shkuan mirë dhe ndeshja vazhdoi aty ku kishte mbetur - 5 minuta e 24 sekonda pa përfunduar periudha e tretë - nga rezultati 51:39. Pejanët patën një fillim (vazhdim) të vrullshëm. Ata i zunë prishtinasit të hutuar dhe, të prirë nga kapiteni Valdet Grapci, shkëlqyen me një seri prej 13:2, për t’u afruar në vetëm një pikë disavantazh, 53:52.

Rezultati pas tri periudhash ishte 56:52 për vendësit (çereku i tretë 18:19). Atë që e bënë verdh e zinjtë në 10 minutëshin e tretë, e bënë bardh e kaltrit në atë të katërt, që ishte vendimtari në këtë fitore të ekipit të trajnerit Arben Krasniqi. Kampionët e Kosovës shpërthyen me një seri prej 12:0, për ta siguruar fitoren, kah mesi i kësaj periudhe (68:52).

Bile, avantazhi i vendësve në një çast arriti deri në 21 pikë, 77:56. Në periudhën e fundit pejanët patën një paraqitje katastrofale, duke realizuar vetëm 8 pikë (4 prej tyre në minutën e fundit), të cilat i kushtuan me humbjen e parë në play-off.

Më të merituarit në fitoren e prishtinasve ishin: Essengue me 24 pikë dhe Carcamo (18). Kurse, tek pejanët u shquan Grapci (17) dhe Pushiq (15). Ndeshja e dytë zhvillohet gjatë kësaj jave në Pejë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›