E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morina zëvendëson Prekazin

Drejtuesit e Hysit e kanë mbajtur një mbledhje të hënën, ku kanë vendosur që Arbnor Morinën ta zgjedhin si pasardhës të trajnerit të shkarkuar, Luan Prekazi, për një afat të pacaktuar.

Rezultatet e dobëta në sezonin pranveror, prej tyre dy humbje dhe katër barazime pa fitore, bënë që udhëheqësit e klubit nga Merdarja të lëvizin për ta emëruar përkohësisht ish trajnerin e Kosovës së Vushtrrisë.

“Kryesia vendosi që të më emërojë mua trajner, derisa të bëhet një zgjidhje. Unë isha i gatshëm që ta merrja këtë post për ta ndihmuar ekipin bashkë me Fadil Ademin”, tha fillimisht Morina për Express.

Ai ka njoftuar se do të vazhdojë ta mbajë edhe rolin e drejtorit sportiv. Morina tregoi se udhëheqësit e klubit do të bisedojnë me trajnerin e shkarkuar, Luan Prekazi, për t’ia dhënë atij pozitën e drejtorit të shkollës së futbollit, të cilën e mbante edhe më parë.

Lëndimet e shpeshta të futbollistëve dhe ndëshkimet me kartonë kanë bërë që Hysi në pranverë të mos ishte në të gjitha rastet ekip komplet. Për këtë, këtij ekipit i munguan edhe rezultatet.

Të njëjtin problem trajneri Morina thotë se do ta ketë edhe në ndeshjen e ardhshme në Gjakovë, por ai megjithatë beson se Hysi do t’i tregojë vlerat e veta ndaj Vëllaznimit në mesjavë dhe do të mundohet të nxjerrë një rezultat të favorshëm.

Edhe pse kanë mbetur 7 pikë prapa kryesuesit Trepça, llapjanët besojnë ende në titull të kampionit, edhe pse s’e kanë medoemos. “Ne, që nga fillimi, nuk e kishim me çdo kusht titullin e kampionit. Por, ne nuk dorëzohemi dhe do të luftojmë deri në fund”, vazhdoi Morina.

Humbja nga Kosova e Vushtrrisë në shtëpi ishte fatale për trajnerin Luan Prekazi, i cili u largua për herë të dytë këtë sezon nga ky post. Ndërkaq, Morina do të jetë trajneri i pestë që emërohet në krye të shtabit teknik të Hysit këtë sezon. Të mërkurën, ekipi nga Merdarja udhëton në Gjakovë, ku e pret një tjetër takim i vështirë kundër Vëllaznimit, të etur për pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›