E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk dorëzohen

Edhe pse kishin start katastrofal të sezonit pranveror, me 5 humbje e një barazim, që i ka thelluar në fund të tabelës, gjilanasit nuk e kanë ndërmend të dorëzohen.

Trajneri Muharrem Sahiti thotë se ekipi Vjollcë nuk është dorëzuar dhe se do të luftojë deri atëherë kur ta shohë se nuk ka më as gjasa teorike për të mbetur pjesë e skuadrave të elitës së futbollit kosovar. Aktualisht, Gjilani zë pozitën e fundit në Superligë me 18 pikë të tubuara, 12 më pak se ekipi që i ikën zonës së skuadrave të rrezikuara, Drenica.

“Është e vërtetë se jemi thelluar në pjesën e poshtme të tabelës, por nuk jemi dorëzuar ende. Kanë mbetur edhe 10 xhiro dhe derisa të kemi gjasa matematikisht, do të japim gjithë atë që kemi nga vetja”, tha Sahiti të hënën.

Ekipit gjilanas të dielën i është kthyer sulmuesi Ismet Ramushi, kurse të mërkurën pritet të kthehet edhe Liridon Hasani. Duke ia shtuar këtyre futbollistëve edhe përforcimin e pranverës Muhamet Dragusha, Sahiti beson në ekipin e tij për ndeshjet e ardhshme.

Përballjen e mesjavës ndaj Lirisë ai e konsideron si vendimtare, për ta pasur një pasqyrë më reale në vazhdim të sezonit. “Ndeshjen me Lirinë e kemi marrë mjaft seriozisht dhe e konsiderojmë si mjaft të rëndësishme, pothuajse vendimtare. Nëse do të fitojmë, na rriten paksa gjasat, edhe pse prapë do ta kemi vështirë. Por, nëse humbim, edhe gjasat do të zbehen”, vazhdoi Sahiti.

Ai u ankua në gjyqtarin e ndeshjes Flamurtari-Gjilani, e cila përfundoi 3:2 fundjavën që shkoi. Sipas trajnerit gjilanas, gjyqtari pranoi një gol të paqenë për flamurtarët, i cili edhe e vendosi fituesin e këtij takimi, edhe pse gjilanasit luajtën mjaft mirë.

Sido që të jetë, vetëm një mrekulli mund t’i shpëtojë gjilanasit nga rënia prej Superligës. 10 ndeshjet e mbetura do ta jenë si 10 finale për Gjilanin e Muharrem Sahitit. Pas Lirisë, glansit do të mysafirë të Hysit në Merdarë.

Befasojnë Kosova e Vëllaznimi

Derisa Gjilani nuk di assesi ta gjejë fitoren, këtë e bënë të dielën dy skuadrat tjera të rrezikuara për të rënë nga liga - Kosova e Vushtrrisë dhe Vëllaznimi. Këto dy skuadra fundjavën që shkoi fituan si mysafire të Hysit, respektivisht Lirisë, për të shpresuar ende në mbijetesë. Në mesjavë vushtrriasit do të jenë mikpritës të KEK-ut, kurse gjakovarët - të Hysit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›