E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditët kulturore të romëve fillojnë sot

TIRANE- Ditët kulturore të komunitetit rom në vendin tonë fillojnë sot në Ministrinë e Kulturës. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Minoritetit Rom, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, do të organizojë sot në ambientet e MTKRS-së në orën 11:00, "Ditët Kulturore të Romëve të Shqipërisë".

Të ftuar në këtë aktivitet do të jenë përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si edhe të shoqërisë civile. Aktiviteti do të konsistojë në hapjen e një ekspozite, në të cilën do të ketë eksponate të ndryshme, objekte artizanati të këtij komuniteti etj.

Qëllimi i këtij aktiviteti është prezantimi i angazhimeve të Këshillit të Ministrave për përfshirjen sociale dhe integrimin e minoritetit rom, si edhe promovimi i kontributit unik të këtij komuniteti në jetën kulturore shqiptare. Ky aktivitet do të shoqërohet edhe me performanca muzikore të luajtura nga muzikantë rom.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›