E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Diveroli", SHBA: Withers veproi drejt

"Withers veproi drejt". Ky është konkluzioni që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas disa muajsh shqyrtimi të të gjitha fakteve të vëna në dispozicion për çështjen "Diveroli". Në këtë mënyrë, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka zhvlerësuar pretendimet e medias lidhur me implikimin e ambasadorit amerikan në Shqipëri, Withers, dhe disa diplomatëve në fshehjen e të vërtetës, lidhur me tregtimin e fishekëve kinezë midis Shqipërisë dhe Afganistanit.

Zëdhënësi në detyrë, Robert UD, bëri të ditur se, në qershor të vitit të kaluar, në media u shfaqën pretendime që ambasadori i SHBA-së, John Withers, dhe pesë anëtarë të tjerë të ekipit të ambasadës amerikane në Tiranë (Shqipëri), në njëfarë mënyre ishin të përfshirë në përpjekje për të fshehur fakte lidhur me shitjen e municioneve me origjinë kineze për Departamentin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, në shkelje të ligjeve të këtij vendi.

"Në atë kohë, çështja iu paraqit Inspektorit të Përgjithshëm për shqyrtim. Inspektori i Përgjithshëm i ka shqyrtuar të gjitha faktet e vendosura në dispozicion dhe nuk gjeti asgjë që mund të konfirmonte ndonjë pretendim penal, apo lloj tjetër në lidhje me punonjësit e Departamentit të Shtetit", theksoi zëdhënësi.

Ndërkaq, Departamenti i Drejtësisë ka informuar zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm, që këta gjashtë punonjës të Departamentit të Shtetit në ambasadën në Tiranë nuk janë shënjestra, apo subjekte hetimi.

Departamenti tha se mirëpret deklaratat e bëra nga Departamenti i Drejtësisë dhe Inspektori i Përgjithshëm dhe e konsideron këtë një çështje të mbyllur. "Ambasadori Withers dhe ekipi i tij punuan saktësisht në atë mënyrë siç do të prisnim të punonin. Jemi krenarë dhe mirënjohës për shërbimin e tyre", thuhet në informacionin zyrtar të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Pak javë pas tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300, Kongresi Amerikan ndërmori një investigim mbi mundësinë e përfshirjes së ambasadorit Withers dhe pesë punonjësve të tjerë të selisë diplomatike amerikane në Tiranë, pas një dëshmie që dha atasheu ushtarak i po kësaj ambasade. Ambasadorit Withers iu kërkua të dëshmojë, ndërsa kryetari i Komisionit Mbikëqyrës të Reformave dhe Sigurisë, zoti Henry A. Waxman, i dërgoi një letër sekretares së Shtetit, në atë kohë Condoleezza Rice. Përmes saj përshkruan "implikimin e Ambasadës Amerikane në aferën e armëve dhe në mashtrimin që i është bërë shtetit amerikan". Sipas pretendimeve të ngritura në media, ambasadori Withers kishte bashkëpunuar me ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes në Shqipëri, zoti Fatmir Mediu, në fshehjen e provave që vërtetonin se qeveria shqiptare po furnizonte Pentagonin me fishekë të skaduar kinezë. Në atë kohë reagimet ishin të shumta, megjithatë ambasadori Withers, në një deklaratë të shkurtër kërkonte një shqyrtim të drejtë të fakteve të paraqitura, që do të zbardhnin të vërtetën.

Deklarata

Ambasadori: E vërteta është e qartë

Pas përfundimeve të Departamentit të Drejtësisë, ambasadori Withers deklaroi se e vërteta tashmë ishte e qartë. "Jam mirënjohës që Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Mbrojtjes tani i konsiderojnë të mbyllura pretendimet kundër meje dhe zyrtarëve të tjerë në ambasadën në Tiranë. Këta zyrtarë: Stiven Christina, Patrick Leonard, Paula Thide, Viktor Majev dhe Robert Njusem, janë ndër diplomatët më të shkëlqyer që kam njohur. Sikurse thashë vitin e kaluar, një shqyrtim i drejtë i fakteve do të çojë, në fund, tek e vërteta. Jam i kënaqur që e vërteta tani është e qartë dhe që këtyre zyrtarëve të shkëlqyer u janë njohur kontributet ndaj shërbimit të vendit tonë".

Zyrtarët

1. John L. Withers, II, ambasadori amerikan në Shqipëri

2. Stephen Cristina, Zv/ambasadori amerikan në Shqipëri

3. Patrick Leonard, shefi i sigurisë së Ambasadës Amerikane në Shqipëri

4. Robert Newsome, shefi i sektorit ekonomik dhe tregtar në Ambasadën Amerikane në Shqipëri

5. Paula Thiede, shefe e sektorit politik e ekonomik në Ambasadën Amerikane në Shqipëri

6. Victor Myev, oficer politik në Ambasadën Amerikane në Shqipëri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›