E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diveroli dhe afera ne Shqiperi

Historia e Efraim Diverolit e bë publike nga një seri shkrimesh të gazetës New York Times.

Kur nënshkroi me Pentagonin një kontratë prej 300 milionë dollarësh për të furnizuar ushtrinë afgane me 100 milionë fishekë, Diveroli ishte vetëm 22 vjeç.

Këto fishekë Diveroli i siguroi në Shqipëri, duke pasur fillimisht si nënkontraktor të ndjerin Kosta Trebicka.

Bëhet fjalë për vitin 2007. Në parim, gjithçka shumë normale. Por më pas, Kosta Trebicka u nxorr nga loja nga një nënkontraktor fantazëm, i regjistruar në Qipro.

Ky ia blinte fishekët direkt Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes dhe më pas ia shiste Efraim Diverolit me një çmim më të lartë.

Diferenca në çmim mendohet se ka paguar nën dorë zyrtarë shqiptarë. U dyshua se nënkontraktori ishte Hainrih Tomet, një trafikant zvicerian armësh, i cili i mohoi lidhjet me Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes për këtë çështje.

Ai deklaroi se kishte shërbyer vetëm për të lidhur Diverolin me zyrtarë dhe partnerë të fuqishëm në Shqipëri.

Çështja tjetër është se fishekët nuk ishin shqiptarë siç pretendohej, por prodhim 50 vjecar kinez.

Ndërkohë që ligjet amerikane u ndalojnë kompanive amerikane të tregtojnë armë kineze.

Kjo ishte shkelja e dytë. Një shkelje për të cilën ish-shefi i bashkëpunimit ushtarak amerikan në Tiranë, majori Larry Harrison akuzoi ish-ambasadorin Uidhers se kishte pasur dijeni.

Madje pas një takimi me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu ambasadori Uidhers paska dhënë pëlqimin që municionet kineze të lëvizeshin nga siti që do të vizitonte korrespondeti i New York Times.

Majori dëshmoi në komitetin e mbikëqyrjes dhe reformës qeveritare të Kongresit.

Kurse akuzat e tij iu dërguan ish-sekretares Condoleza Rice në formën e një letre.

Por ambasadori Uidhers i hodhi poshtë akuzat dhe tha se ai nuk kishte pasur dijeni për fishekët kinezë.

Vetë Efraim Diveroli, që ka ardhur disa herë në Shqipëri, por edhe Kosta Trebicka, i mënjanuar nga paketimi i municioneve, bënë akuza mjaft të rënda në drejtim të autoriteteve shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›