Berisha Rama pergjigjen me 8 maj

Megjithëse 8 nga 12 rekomandimet e Komisionit Europian për të marrë statusin kërkojnë bashkëpunimin në parlament të mazhorancës dhe opozitës si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, kryeministri Sali Berisha nuk u tregua optimist, si zakonisht.
Ai identifikoi si pengesë kryesore të vendit sjelljen jo demokratike të kreut të opozitës Edi Rama, madje e akuzoi atë se, ashtu si me liberalizimin e vizave, po vazhdon të dëmtojë me qendrimet e tij, interesat e vendit.
“Ju siguroj se këtë vit qeveria do të bëjë gjithçka ka në dorë për të përmbushur detyrimet e saj, një gjë që qeveria nuk mund të bëjë kurrë është udhëheqja e opozitës. Por se çfarë mund të bëjë opozita ajo përcaktohet nga ata vetë. Por kjo është situata: një opozita që kërkon hetim pa fakte, sepse kjo opozitë drejtohet nga një bllokmen për të cilën faktet nuk mund të pranohen, i cili kërkon të ngjitet në një majë që nuk do ta kapë dot kurrë. Në bunker do të mbetet gjithë jetën. Nëse do i hapet rruga për të përdhosur votën, shqiptarët nuk do të kenë të ardhme. U takon atyre që ta vendosin këtë punë dhe do e vendosin më 8 maj”, është shprehur Berisha.