E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diveroli, hetim takimeve në Tiranë me Ylli Pinarin

 

Dosja e mbërritur pak ditë më parë nga Prokuroria e Majamit në SHBA, ka gjasa të "vo-nojë" hetimin e skandalit ndërkombëtar të tregtisë së armëve mes Shqipërisë dhe Afganistanit. Ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO Ylli Pinari, si dhe pronari i fabrikës së çmontimit të predhave Mihal Delijorgji, janë personat që pritet të merren në pyetje përsëri mbi dëshminë e dhënë nga Efraim Diveroli në SHBA. Dëshmia e tij mësohet se është marrë nga dy hetues të Prokurorisë federale nën dijeninë e një prokurori amerikan. Ata i lexuan Efraim Diverolit mbi 25 pyetje të shkruara nga prokurorët shqiptarë dhe më pas dëshminë e tregtarit 23-vjeçar të armëve e zbardhën në procesverbalet, të cilat në gjuhën angleze u dërguan në Ministrinë e Drejtësisë në Tiranë dhe pasi u zbardhën iu dorëzuan grupit të hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Dëshmia e Diverolit ishte kërkuar që më 11 prill 2008 nga Prokuroria shqiptare pas të dhënave se fabrika e çmontimit në Gërdec kishte lidhje me tregtinë e fishekëve nga Shqipëria në Afganistan përmes AEY., madje edhe me ndryshimin e ambalazhit të municioneve dhe fshehjen e origjinës së tyre kineze.
Hetimet shtesë
Prokuroria tha se po kryen një ekspertizë kontabël lidhur me aktivitetin e ndërmarrjes MEICO në drejtim të tregtisë së municioneve dhe veçanërisht shitjes së fishekëve për kompaninë amerikane AEY. Sipas burimeve zyrtare pavarësisht shkeljeve të tjera administrative apo ligjore në kanë shoqëruar tregtinë e fishekëve që janë blerë nga Diveroli fillimisht me çmimin 22 USD për 1 mijë copë e më pas 40 dollarë për të njëjtën njësi, objekt i hetimit është edhe fakti nëse shtetit shqiptar i është shkaktuar humbje ekonomike me këtë proces. Një tjetër objekt i verifikimeve të prokurorisë është edhe përputhshmëria e shitjes së fishekëve me legjislacionin shqiptar, pasi mësohet se janë gjetur probleme serioze në drejtim të mbajtjes së dokumenteve dhe evidencave, që flasin për hyrje-daljet e sasive të municionit nga depot e Forcave të Armatosura.
Takimet për armët në Tiranë
Burimet nga organi i akuzës konfirmojnë më tej, se hetimet shtesë janë të nevojshme për verifikimin e disa rrethanave të përmendura në dëshminë e dhënë së fundi nga Efraim Diveroli. Ai përmend disa personazhe me të cilët pretendon se është takuar dhe ka biseduar gjatë dy vizitave të tij në Tiranë. Po kështu, Diveroli përmend një kontratë të propozuar nga Ylli Pinari, të cilën e ka firmosur në një takim të zhvilluar në Tiranë më 17 maj 2008 në prani edhe të Mihal Delijorgjit. Për të gjitha rrethanat e përmendura në dëshminë e Diverolit, Prokuroria shqiptare pritet të kërkojë sqarime shtesë nga të arrestuarit Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari. Ajo që prokuroria konfirmon zyrtarisht është se nuk është gjetur lidhje e drejtpërdrejtë mes ripaketimit të fishekëve në Gërdec të Vorës dhe shitjeve të municioneve shqiptare për forcat aleate në Afganistan përmes kompanisë AEY, e cila ishte kontraktuar nga SHBA.            tr.so

Ylli Pinari, personazhi kyç i armëve hesht para prokurorëve

TIRANE - Për shumë arsye, grupi i hetimit ka tentuar disa herë të marrë deklarime prej tij e megjithatë Ylli Pinari ka qenë i vendosur të heshtë. Të informuar për sasinë e të dhënave që zotëron, hetuesit dhe prokurorët për më shumë se katër herë me radhë kanë tentuar të bindin Ylli Pinarin që të rrëfehet. Megjithatë, burimet zyrtare të Prokurorisë, konfirmojnë se mospranimi i akuzës dhe deklarimi i pafajësisë kanë qenë thëniet e vetme të artikuluara nga ish-drejtori i MEICO-s për më shumë se një dekadë. Personazhi kompleks i tenderëve, që kanë të bëjnë me armët shqiptare duke filluar që nga MIG-ët, tanket e më pas armët e lehta dhe municionet, ka heshtur përballë hetuesve të dosjes "Gërdeci" edhe pse sipas akuzës, pozicioni që Pinari ka pasur por edhe karakteri i tij, e kanë implikuar të pandehurin në situata të dyshimta lidhur me tragjedinë. Ai akuzohet se ka iniciuar dhe firmosur kontratën që po zbatohej me Delijorgjin në kohën kur fabrika e çmontimit shpërtheu, duke shkaktuar 26 të vdekur, 300 të plagosur si dhe duke dëmtuar 5 mijë banesa në të gjithë zonën me shkatërrime, që sipas përllogaritjeve patën një kosto prej 20 milionë eurosh. Ylli Pinari akuzohet nga prokuroria se ka shpërdoruar detyrën me kontratat e nënshkruara me Mihal Delijorgjin në shkelje të ligjit. Ai po ashtu akuzohet se ka nxitur ushtrinë të çonte në Gërdec sasi të mëdha municioni mbi grafikun e zakonshëm dhe të protokolluar të furnizimit, që ishte miratuar paraprakisht. Sipas prokurorisë, Pinari ka toleruar ushtrimin e punimeve në Gërdec në kushtet kur siguria e njerëzve vihej në rrezik si pasojë e mungesës së masave mbrojtëse kundër zjarrit, apo aktivizimit të lëndëve luftarake.        tr.so

Diveroli tregon edhe kontratën me Trebickën

TIRANE - Në dëshminë e tij të administruar së fundi në dosjen "Gërdeci" biznesmeni amerikan Efraim Diveroli ka treguar edhe mënyrën si është futur në marrëdhënie biznesi me tregtarin shqiptar Kosta Trebicka, i cili publikisht në SHBA dhe Shqipëri denoncoi abuzimin me shitjen e fishekëve kinezë. Sipas dëshmisë së Diverolit ai ka nënshkruar kontratë me Kosta Trebickën në fillim të vitit 2007, pasi kishte marrë një përgjigje lidhur me ofertën për blerje municionesh për armët që përdoreshin nga forcat aleate të sigurisë në Afganistan. Gjithashtu, Diveroli ka hedhur akuza ndaj ish-drejtorit të MEICO Ylli Pinari dhe Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, duke pohuar se pala shqiptare e kishte mashtruar edhe vetë atë për shkak se nuk i ishte raportuar fakti, se fishekët që po i shiteshin ishin me origjinë dhe prodhim kinez. Importi dhe tregtia e municioneve të tilla është e ndaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa siç duket në shkeljen e këtyre ligjeve janë implikuar edhe ish-zyrtare dhe persona që vepronin në Tiranë. Sipas pronarit të kompanisë AEY, kontrata e tij me biznesmenin Kosta Trebicka ishte shkëputur për shkak të ndërhyrjeve dhe veprimeve, që bënte Ylli Pinari dhe personat tjerë, që ai kishte takuar në Tiranë.                                                                                          t.s  

“Gërdeci” brenda muajit në gjykatë

Trazhgim Sokolaj

Dosja hetimore për tragjedinë e Gërdecit mund të ndahet në dy pjesë për shkak se Prokuroria shqiptare duhet të hetojë më tepër, lidhur me pjesën që bën fjalë për shitjen e fishekëve jashtë vendit. Nevoja për hetime të mëtejshme në këtë drejtim, sipas burimeve zyrtare është më evidente pas mbërritjes nga SHBA, të dëshmisë së dhënë prej biznesmenit Efraim Diveroli. Ai pretendon në rrëfimin e tij se ndërmarrja MEICO dhe Ministria e Mbrojtjes, e kanë mashtruar, duke i fshehur origjinën e vërtetë të fishekëve që i janë shitur kompanisë AEY. Kjo kompani, në pronësi të Diverolit, pasi u tenderua nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, bleu fishekë kinezë nga ndërmarrja MEICO e Ylli Pinarit, i cili është arrestuar tri ditë pas tragjedisë së ndodhur në fabrikën e çmontimit të predhave në Gërdec. Deri më tani të dyja palët e implikuara në skandal ia kanë hedhur topin njëra-tjetrës, megjithatë Prokuroria duket se është vënë përballë detyrimit për të zbardhur të vërtetën apo më saktë, masën e implikimit të secilit prej protagonistëve.
Pikëpyetjet e dëshmisë
Burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, pohuan dje se dëshmia e Efraim Diverolit, e cila ka mbërritur nga SHBA pak kohë më parë, duhet të verifikohet. Grupi i hetimit pasi është njohur me deklarimet e dhëna prej Diverolit ka vënë re aty disa momente, që nuk përkojnë për shkak se ai mohon dijeninë për fishekët kinezë në një kohë kur një gjë e tillë i ishte bërë me dije në një bisedë të përgjuar mes tij dhe biznesmenit Kosta Trebicka në vitin 2007. Për këtë shkak, disa episode të dëshmisë së dhënë nga Diveroli, ku ai flet për takimet dhe bisedat e tij me ish-drejtorin e ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari dhe e biznesmenin e hekurit Mihal Delijorgji, është vendosur të verifikohen. Mirëpo grupi i hetimit dhe Prokuroria e Përgjithshme ndodhen të kushtëzuar në këtë çështje, për shkak se afati hetimor i dosjes “Gërdeci”, përfundon në mesin e muajit mars, atëherë kur mbushet një vit nga tragjedia. Të paktën për pjesën e fashikullit që bën fjalë për Mihal Delijorgjin, Ylli Pinarin dhe Dritan Minxollin, tre të arrestuarit e vetëm për ngjarjen, dosja duhet të dërgohet në gjykatë para 15 marsit 2009, përndryshe çështja mund të hyjë në një qerthull ligjor të rrezikshëm. Zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme duket se janë në dijeni të këtij fakti, madje ata konfirmojnë se edhe vetë kryeprokurorja Ina Rama, ka kërkuar respektimin e afateve ligjore procedurale të hetimit.
Ndarja e dosjes
Në këtë situatë, burimet nga Prokuroria e Përgjithshme pohojnë se brenda muajit shkurt, dosja Gërdeci do të ndahet në dy pjesë. ‘Fashikulli që flet për ngjarjen e ndodhur në ish-fabrikën e çmontimit me vrasjen e 26 personave, plagosjen e 300 të tjerëve, dëmtimin e 5 mijë shtëpive dhe shkaktimin e 20 milionë eurove dëm, mund të shkojë në gjykatë para marsit 2009 me tre të pandehur: ish-pronari i fabrikës së çmontimit Mihal Delijorgji, ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO Ylli Pinari dhe ish-administratori i fabrikës Dritan Minxolli”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, me vendim të organit qendror të akuzës, pjesa e dosjes që bën fjalë për shitjen e municioneve, abuzimin me to, duke i shitur nën vlerë dhe me dëm të shkaktuar shtetit, mund të mbahet në hetim me qëllim sqarimin e rrethanave dhe zbulimin e përgjegjësve të skandalit.

Ina Rama hetuesve: Respektoni afatet ligjore për dosjen “Gërdeci”

TIRANE – Kryepro-kurorja Ina Rama mblodhi pak ditë më parë hetuesit dhe prokurorët e dosjes ‘Gërdeci’, ku pasi bëri një analizë të hetimeve, që janë zhvilluar deri më tani, kërkoi që procedimi penal të marrë zgjidhjen e duhur brenda afateve ligjore. Analiza e dosjes u zhvillua në një kohë kur afati hetimor njëvjeçar i dosjes, që bën fjalë për tragjedinë, është drejt fundit. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se në mesi i muajit mars 2009 është edhe afati i fundit, kur dosja që bën fjalë për ngjarjen e Gërdecit mund të mbahet nën hetim. Kjo për shkak se në kuadër të kësaj dosje, në paraburgim ndodhen tre persona të arrestuar, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli, të cilët sipas ligjeve në fuqi nuk mund të mbahen pafundësisht në qeli, derisa nuk janë shpallur fajtorë. Për këtë shkak, afati i mbajtjes së tyre në burg përfundon në mes të marsit, ndërsa afati i personit tjetër në hetim për këtë çështje, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, është tjetër pasi llogaritja e kohës ka filluar me heqjen e imunitetit të tij nga parlamenti. Derisa Kuvendi dha autorizimin rreth gjashtë muaj pas tragjedisë, Prokuroria nuk kishte mundur të kryente asnjë veprim hetimor ndaj Mediut me përjashtim të dokumenteve dhe dëshmive, që ishin mbledhur ndaj Ylli Pinarit, të cilat më pas mund të hidhnin dritë edhe mbi rolin e ministrit të Mbrojtjes.            tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›