Tritol me telekomandë lokalit
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
Një sasi prej 2.7 kilogramë tritol, e cila dyshohet se do të shpërthente me telekomandë nga një celular që ishte vendosur mbi lëndën plasëse, ngriti në këmbë dje policinë e shtetit. Ekspertë të çaktivizimit të lëndëve plasëse nga Tirana, policia kriminale dhe ajo e antiterrorit u nisën drejt vendit të ngjarjes, pas sinjalit të dhënë nga pronari i lokalit ku edhe ishte objektivi. Sipas policisë, tritoli ishte vendosur në rrethimin e jashtëm të një bar-restoranti në lagjen Sakë të komunës Shëngjin në Lezhë. Prona ishte në shfrytëzim nga Eduart Cini. Lënda plasëse ishte paketuar dhe futur në një çantë ngjyrë blu. Brenda saj ishte vendosur një telefon celular, çka hodhi dyshimin kryesor se ajo mund të ishte e telekomanduar. Objektivi për atentatin e mundshëm ndodhej vetëm pak metra nga rruga kryesore, që lidh Lezhën me Shëngjinin. Për gati 4 orë, qarkullimi i mjeteve por edhe i këmbësorëve u bllokua në një distancë të konsiderueshme. Specialët që mbërritën nga Tirana urdhëruan evakuimin e dhjetëra banorëve, shtëpitë e të cilëve ndodheshin afër vendit të ngjarjes. Paniku mbërtheu gjithë zonën, pasi sasia e tritolit ishte tepër e madhe. Në rast shpërthimi, gjithçka mund të kthehej në tragjedi. Por falë ndërhyrjes së ekspertëve u bë i mundur çaktivizimi në distancë i lëndës plasëse.
Në sajë të deponimit të pronarit të objektit ku u gjet tritoli, Eduart Cini, ai kishte shkuar si çdo ditë në pronën e tij rreth orës 07:00. Në fakt, ai e ka parë çantën në kangjellat e jashtme të restorantit. Por fillimisht nuk e ka prekur, duke menduar se ajo mund t’i përkiste ndonjë punëtori të tij që e kishte harruar. Pasi ka hapur lokalin dhe ka nisur punën në pritje të klientëve të parë, ai ka pyetur edhe punëtorët nëse kishin harruar ndonjë çantë. Por asnjëri prej tyre nuk e ka pohuar një fakt të tillë. Teksa minutat kalonin, njëri prej punëtorëve kureshtar është afruar. Ai hapi zinxhirin e çantës dhe konstatoi lëndën plasëse dhe sipër saj telefonin celular. Menjëherë dha alarmin, fillimisht te pronari i tij, e ky i fundit në Policinë e Lezhës. Blutë mbërritën në vendin e ngjarjes dhe konstatuan çantën me tritol në një sasi të madhe. Ata kanë lajmëruar për këtë ngjarje Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, e cila dërgoi në drejtim të Shëngjinit ekspertët e çaktivizimit të lëndëve plasëse. Paniku i banorëve dhe madje edhe i policisë ishte fakti se lënda mund të shpërthente nga momenti në moment. Në një distancë të konsiderueshme nuk është lejuar askush të afrohej. Ekspertët nga Tirana mbërritën rreth orës 10:30. Ata kërkuan bllokimin e valëve të telefonisë celulare, në mënyrë që në momentin e çaktivizimit të mos kishte asnjë mundësi shpërthimi. Rreth orës 11:00, ekspertët bënë të mundur çaktivizimin, ndërsa lënda është marrë për ekzaminime të mëtejshme. Pas katër orësh, banorët që prisnin në ankth janë lejuar të afrohen te banesat e tyre. Ndërsa vargu i makinave vijoi udhëtimin pas urdhrit të policisë. Sipas burimeve, sasia e vendosur ka qenë shumë e madhe, duke deklaruar se shpërthimi i mundshëm i saj do të kishte qenë një katastrofë. Ekspertët pohuan se shpërthimi nuk është bërë i mundur, pasi fatmirësisht telekomandimi nuk ka qenë i saktë. Konkurrenca është pista kryesore e hetimit. Por nuk përjashtohen edhe pista të tjera. Pas ngjarjes u shoqëruan pesë persona që dyshohet se mund të kenë dijeni. Pronari deklaroi se nuk ka pasur konflikt me persona dhe se nuk e dinte pse ishte objekt i atentatit.