E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti, dherat e gurët bllokojnë akset rurale

 

LIBRAZHD - Rrëshqitja e dherave dhe gurëve, për shkak të reshjeve kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në rrugët rurale të rrethit të Librazhdit. Në disa segmente të thella malore, akset janë bllokuar për orë të tëra. Situatë e vështirë paraqitet në zonat e Komunës Stravaj, Orenjë, Stërblevë etj. Punonjësit e ndërmarrjes së rrugëve kanë mbërritur në zonat më problematike dhe disa orë më vonë, pas ndërhyrjes së tyre, është bërë i mundur zhbllokimi i rrugëve. Sipas burimeve pranë kësaj ndërmarrjeje, nga tre komunat që u regjistruan probleme, situata më e rëndë për qarkullimin e automjeteve paraqitej në Stërblevë. Në këtë aks lëvizin çdo ditë një numër i madh makinash për në qytetin e Librazhdit. Aty banorët marrin rezervat e tyre ushqimore, etj. Ndërsa në dy komunat e tjera të mësipërme, mësohet se ka pasur probleme vetëm të rrëshqitjeve të masivëve të dheut dhe gurëve. Këto segmente rrugore ishin problematike edhe në javët e shkuara. Si pasojë e reshjeve të dëborës dhe rrëshqitjeve të dheut, rrugët që të çojnë në këto komuna kanë qëndruar për disa ditë të bllokuara. Nga Drejtoria e Rrugëve Rurale, në qarkun e Elbasanit, bëhet e ditur se aktualisht në të gjitha akset që të çojnë në këto zona nuk ka asnjë problem dhe se situata është nën kontroll. Banorët kërkojnë më shumë vëmendje ndaj këtyre zonave, pasi për shkak të motit të keq, në çdo periudhë dimri ata mbeten të izoluar, ndërsa jeta e tyre vihet në rrezik nga rrëshqitja e dherave dhe e gurëve.                a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›