E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet kafka e njeriut në rrjetën e peshkatarëve

 

LEZHE - Zbulohet kafka e një njeriu në Lezhë. Bashkë me peshkun, rrjetat e peshkatarëve të Shëngjinit nxorën dje edhe kafkën. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00, kur peshkatarët i ishin afruar bregut. Ata po mblidhnin rrjetat, kur papritur konstatuan se pjesë e gjahut të tyre ishte edhe kafka e njeriut. Pamja shokuese i vuri në alarm, duke sinjalizuar menjëherë policinë. Kjo e fundit mbërriti në vendin e ngjarjes dhe mori kafkën nga ku do të kryhen edhe ekzaminimet e mëtejshme ligjore në morgun e Lezhës. Sipas burimeve, bazuar edhe në deponimet e vetë peshkatarëve, kafka nuk është gjetur shumë larg bregut të detit. “Dolëm si çdo ditë dhe hodhëm rrjetat për të gjuajtur peshk. Por kur mblodhëm rrjetat disa orë më vonë, ne gjetëm bashkë me peshkun edhe kafkën e një njeriu, e cila ishte komplet e zhveshur nga mishi. Nga aq sa pamë, kafka mund të ketë shumë kohë në det”, pohoi njëri nga peshkatarët. Policia po mban nën mbikëqyrje vendin ku është gjetur kafka. Sipas burimeve, pritet të kryhen të tjera kërkime me qëllim për të konstatuar nëse ka pjesë të tjera të eshtrave të viktimës. Grupi i hetimit mori në pyetje edhe banorë të zonës, por asnjëri prej tyre nuk ka mundur të hedhë dritë apo të japë ndonjë dyshim për zbulimin e djeshëm. Aktualisht, dyshimet e para të mjekëve dhe ekspertëve të policisë kriminale janë që kafka mund të jetë e një burri. Por ekspertiza nga mjekësia ligjore do të vërtetojë edhe detaje të tjera të dyshimta. Policia e Lezhës po bashkëpunon edhe me rajonet e Policisë së Mirditës dhe Kurbinit, për të konstatuar nëse në listat e tyre ekziston ndonjë person i zhdukur. Sipas policisë, hetimet kanë nisur në të gjitha pistat e mundshme. Për efekt hetimi, blutë nuk bënë të ditur shumë detaje në lidhje me zbulimin e kafkës. Por ajo që duhet theksuar është fakti se blutë janë vënë në alarm dhe për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup pune. Sipas burimeve, nuk përjashtohet asnjë pistë hetimi dhe se ngjarja është vlerësuar maksimalisht, pasi në dosjet e policisë janë disa persona të zhdukur, disa prej të cilëve me tepër bujë. Po ashtu, vitet e fundit ka pasur dhe raste peshkatarësh të zhdukur në det, eshtrat e të cilëve nuk u gjetën kurrë.   r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›