E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divjake shemben 20 objekte pa leje pergjate vijes bregdetare

Inspektoriati ndërtimor urbanistik kombëtar ka nisur aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në plazhin e Divjakës. Janë rreth 20 objekte të evidentuara  përgjatë vijës bregdetare në Divjakë  të cilat ishin ngritur gjatë këtij viti pa leje por që  u shemben nga INUK-u. Ndërkohë 70 objekte të tjera të ndërtuara brenda zonës pyjore do të shemben ditët në vijim. Në mbështetje të këtij aksioni kanë qenë forcat policore nga qarku Fier dhe reparti i forcave të ndërhyrjes së shpejtë . INUK ka paralajmëruar 40 dite më parë të gjithë subjektet për të liruar territoret e zëna nga ndërtimet pa leje, për të bërë të mundur realizimin sa më të shkurtër , të planifikimit të ekzekutimit të vendimeve për prishje.  Përkatësisht sipas INUK aksionet për prishjen e objekteve pa leje janë parashikuar të vazhdojnë në zonën e Velipojës, Shëngjinit, Vlorës, Orikumit, Himarës, Lukovës, Sarandës, Ksamilit dhe Durrësit. 
Evidentimi i objekteve pa leje në zonat bregdetare është bërë nga inspektorët ndërtimorë në qarqet e vendit. Aksioni në Divjakë është i pari që kryhet pas 20 viteve abuzim me ndërtimet pa leje. Një pjesë e pronareve kanë nisur vetë prishjet e objekteve pas marrjes së njoftimeve, ndërsa nuk ka pasur rezistence nga asnjë prej tyre gjatë aksioneve në bregdet. Aksioni do të vazhdojë deri në fund të këtij muaji, ndërsa javën e ardhshme do të nisin ndërhyrjet për objektet pa leje brenda pyllit të Divjakës .

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›