E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vodhi 20 ton krom nga minierat e shtetit, arrestohet Isuf Belba



Një 47-vjeçar u arrestua nga policia në Librazhd, pasi akuzohet se ka grabitur nga minierat shtetërore 20 ton krom, të cilat më pas i shiste. Në prangat e uniformave blu ra Isuf Belba, banues në Përrenjas. Punonjësit e policisë arrestuan në flagrancë 47-vjeçarin, i cili e kishte marrë sasinë e kromit në dy pika të ndryshme ku minerali nxirrej. Ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.

Hetimet

Sipas burimeve nga policia, gjatë një pune intensive të kryer nga ana e efektivëve të Komisariatit të Policisë së Librazhdit dhe në bazë të informacioneve të marra, u konstatua se në afërsi të depozitave të bitumit “Taçi Oil”, që ndodhet në Përrenjas, është vjedhur një sasi kromi. Pas punës operative të nisur nga ana e këtyre efektivëve, është bërë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Miniera e kromit”. Nga informacionet, uniformat blu ndaluan mbrëmjen e së martës rreth orës 21:30 autorin e kësaj vjedhjeje, Isuf Belba, lindur në fshatin Skroskë e banues në Përrenjas. Sipas burimeve nga policia, 47-vjeçari akuzohet për vjedhje. Atij iu kap e fshehur edhe një sasi prej 20 ton kromi, që ai e kishte grabitur nga dy miniera, të cilat janë pronë shtetërore. Gjatë veprimeve procedurale të kryera nga grupi hetimor, u zbulua se sasia e mineralit është vjedhur në stoqet e minierës së kromit në fshatin Katjel, Komuna Rrajcë dhe nga miniera e fshatit Menik, Komuna Qukës. Sipas policisë, pasi 47-vjeçari arrinte të merrte kromin ai e fshihte atë në vende të sigurta për ta shitur në treg dhe duke përfituar kështu shuma parash. Dyshohet se i ndaluari e kryente këtë aktivitet edhe më parë, ndërkohë që po vazhdojnë hetimet. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale sasinë e kromit të vjedhur. Ndërkohë që për veprime të mëtejshme materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit. I arrestuari Isuf Belba akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›