Dixhitalizimi, për të parë TV duhet të blesh dekoder

Komisioni i Medias
Të gjithë shqiptarët pas miratimit të strategjisë dixhitale do të duhet të pajisen me dekoder MP4 për të parë televizion, në të kundërt do të jetë e pamundur të shohin mediat publike. Ky fakt u bë me dije nga ministri i Teknologjisë dhe Informacionit, Genc Pollo, gjatë raportimit dje në Komisionin Parlamentar të Medias, ku deklaroi se kostot e blerjes së dekoderave dixhitalë do të duhet të përballohen nga xhepat e teleshikuesve. Miratimi i strategjisë sipas Pollos do të realizohet brenda muajit në Këshillin e Ministrave. Sipas ministrit të Inovacionit, është në fazë diskutimi subvencionimi i dekoderave për familjet në nevojë apo për ato në ndihmë ekonomike. Behët fjalë për dekoderat që njihen si MP4, çmimi i të cilëve për fat të mirë ka rënë, por kostot duhet të përballohen nga çdo teleshikues. Mbetet për tu përcaktuar masa e subvencionit që do të japë shteti për familjet në nevojë apo ato në ndihmë sociale; Kjo është një çështje që ka kostot e saj, të cilat shkojnë 100 %, që është 30 milionë euro që është shumë e madhe. Ndërsa 50% që shkon në 14.5 milionë euro, dhe në 7% nëse do të limitohemi vetëm te familjet në nevojë, do ti kushtojë buxhetit të shtetit për subvencion 2.1 milionë euro. Për këto çështje jemi në fazën e fundit të konsultimit me Ministrinë e Financave, në mënyrë që këto shpenzime të planifikuara të jenë në përputhje me planin buxhetor afatmesëm, deklaroi ministri Pollo.
TRANSFORMIMI I RTSH
Për ministrin e Inovacionit, ekspertët e huaj kanë propozuar dhe një rritje të taksës për RTSH-në, në mënyrë që televizioni publik të arrijë vetëfinancimin. Ndërkaq, kosto jo të vogël do të këtë dhe kalimi nga analog në dixhital i Radio Televizionit Publik Shqiptar. Sipas ministrit të Inovacionit, vetëm blerja e konvertuesve të sinjalit nga analog në numerik kërkon një shumë prej 26.3 milionë eurosh. Për RTSH-në, është e nevojshme të ngrihen rrjete sipas strategjisë dhe kjo nuk është pa kosto, dhe burimi i financimit nga të ardhurat që janë aq sa janë të RTSH-së dhe do të përballohet ose nga buxheti i shtetit, ose nga një kredi specifike. Është një shumë që varion në varësi të teknologjisë së përdorur, në 14 milionë euro për MUX1 dhe MUX2 në 9.4 milionë euro, që në total me disa të ardhura të tjera shkon në 23.6 milionë euro, theksoi ministri Pollo.
PR/LIGJI I MEDIAVE
Komisioni i Medias do të nisë javën e ardhshme diskutimin e projektligjit për transmetimet me zë ose me figurë për të miratuar ndryshimet teknike dhe përputhjen e projektligjit me strategjinë dixhitale. Kryetarja e Komisionit të Mediave, Valentina Leskaj, deklaroi dje se Komisioni do të nisë punë për amendimin e katër neneve në mënyrë që kur strategjia të jetë gati, atëherë të miratohet dhe ligji i medias.
PLATFORMA
Valentina Leskaj: Shoh që keni ndryshuar qëndrim për sa i përket unifikimit të strategjisë dixhitale me projektligjin e transmetimeve më zë dhe figurë. Keni pasur një tjetër qëndrim dhe kërkonit miratimin sa më parë të këtij projekti, ndërsa tani po bllokoni miratimin e ligjit që ndikon në funksionimin e KKRT-së. A ka një datë se kur do të mund të përmbyllet strategjia e dixhitalizimit në mënyrë që të vijohet më mbylljen e projektligjit për transmetimet me zë dhe figurë?
Genc Pollo: Zonja kryetare, cilësia për ti atribuuar tjetrit gjëra që nuk i ka thënë, nuk është ekskluzivitet i politikanëve shqiptarë.
Valentina Leskaj: Të gjitha deklaratat janë në procesverbale dhe ju si përfaqësues i qeverisë dhe qëndrimi juaj ka qenë që ligji do të futet pasi të përfundojë strategjia dixhitale, pasi janë të dyja të lidhura. Në qoftë se ju nuk keni ardhur si ministër i qeverisë, kjo është tjetër gjë.
Genc Pollo: Projektligji për transmetime më zë dhe figurë është një nismë, që është hartuar që prej 5 vjetësh prej këtij Komisioni dhe do kishte qenë mirë sikur të kishte marrë një kohë normale dhe jo një zvarritje 5-vjeçare. Ky është një fakt që unë nuk e ndryshoj dot. Dhe këtu përgjegjësitë janë të ndara, jo të qeverisë, por të këtij Komisioni që ju e kryesoni, zonja Leskaj. Shpresoj që brenda këtij muaji strategjia e dixhitalizimit të miratohet brenda këtij muaji në Këshillin e Ministrave.
Agim Leka: Me projekt-strategjinë që po përgatit qeveria, a do të rriten prapë taksat për TVSH-në dhe sa do të rriten? Kur dihet që problemi i varfërisë në Shqipëri është shumë i lartë dhe rritja e taksave do të rëndojë më shumë xhepin e shpuar të qytetarëve shqiptarë.
Genc Pollo: Për tarifën e RTSH, ajo ka qenë shumë e ulët në krahasim me vendet e tjera. Ka pasur dhe një ndërhyrje nga drejtori i IDU-së për ta rishikuar atë, dhe ka pasur një rritje që do ti shërbejë mbajtjes së RTSH-së. Është mirë që RTSH-ja të financohet nga përdoruesit e saj, sesa të mbështetet nga buxheti i shtetit. Ky model rekomandohet për Shqipërinë nga organizmat ndërkombëtarë.
FATION BINJAKU