PD mbledh firmat, 30 deputetë për Elvis Cefën në krye të KLD

Elvis Cefa
Partia Demokratike ka mbledhur dje firmat për ti propozuar Kuvendit emërimin e Elvis Cefës në postin e mbetur bosh në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Sekretari i Komisionit të Ligjeve, Viktor Gumi, ka paraqitur në mbledhjen e djeshme emrat e 30 deputetëve që kanë firmosur së bashku me CV e kreut aktual të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Sot në mëngjes, secili nga deputetët ka një listë kandidatësh, propozime të 30 deputetëve të Kuvendit për të propozuar Elvis Cefën për të plotësuar vendin vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Bashkëlidhur janë firmat e deputetëve, CV-ja e zotit Cefa dhe deklarata për pëlqimin për kandidim siç e kërkon edhe Rregullorja e Kuvendit. Propozimi i dytë është që nesër në orën 9:00 të kemi mundësi të zhvillojmë seancën dëgjimore me zotin Cefa dhe pastaj, në vijim, të kemi procedurat vijuese sipas rregullores së Komisionit, u shpreh Gumi në nisje të mbledhjes së djeshme ku do të vijonte diskutimi për miratimin e neneve të Gjykatës Administrative. Por, propozimi i Cefës në KLD nuk ka kaluar pa batuta dhe ironi nga deputetët e Partisë Socialiste. I pari ka qenë Bashkim Fino, i cili i ka kujtuar relatores Paulina Hoti që PD-ja të tregojë kujdes dhe të mos bëjë të njëjtin gabim si me Kreshnik Spahiun, dikur shumë pranë kësaj partie. Relatorja duhet të marrë masat mirë, ose të kontrollojë që këta të jenë besnikë të partisë, ose për ndryshe mos e kalo që të mos e bëjmë si puna e Kreshnikut. Të lutem, shikoje dhe verifikoje mirë. E kam shumë merak këtë, u shpreh Fino. Ndërsa Vasilika Hysi kujtoi se KLD-ja është një tjetër institucion i pavarur që po shndërrohet në institucion partiak. Pas seancës dëgjimore që do të zhvillohet sot në mëngjes, Kuvendi ditën e nesërme pritet ta votojë kreun e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si anëtar të KLD-së. Më pas do të jetë Presidenti, i cili në një nga mbledhjet e KLD-së do të propozojë edhe nënkryetarin.