Vlorë, biznesi kundër ligjit "antimafia"
Pas rritjes së çmimit të energjisë, aplikimi i ligjit do të rëndonte edhe më tej situatën fiinanciare të bizneseve
Dhoma e Tregtisë: Aplikimi i këtij ligji do të ulte më tej kërkesën e emigrantëve për blerje të pasurive të paluajtshme
VLORË - Ligji "Antimafia" miratuar së fundmi nga Kuvendi është kundërshtuar nga grupet e biznesit duke paralajmëruar se ai do t'i shërbejë largimit të parasë së emigrantëve nga vendi ynë. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Vlorë, Edmond Leka, e sheh të papërshtatshëm aplikimin e një ligji të tillë në vend duke e cilësuar atë një "handikap".
Sipas tij, biznesi po përballet me vështirësi të theksuara për likuiditete dhe duke parë që emigrantët janë burimi më i madh i parave që hyjnë në vend, aplikimi i një ligji të tillë do të kontribuonte në uljen e sasisë së parasë në treg.
Sipas tij, ulja e nivelit të blerjeve sidomos nga emigrantët më së shumti është vërejtur në sektorin e ndërtimit.
Duke bërë një ekspoze të situatës së ndërtimit për vitin që po lëmë pas, Leka pohon se likuiditeti ka rënë në masën deri 60 për qind ndërsa kompanitë kanë filluar të aplikojnë mënyrën e lashtë të tregtisë, shkëmbimin mall me mall, ose mall me shërbime.
Krahas uljes së likuiditetit në treg, gjatë 2009-s rënie ka pësuar edhe prenotimi nga qytetarët për blerjen e banesave të reja, sidomos të emigrantëve duke parë që vitet e fundit këta janë konsideruar ndër blerësit potencialë.
Po ashtu, Leka pohon se së këtë vit ndërtuesit janë përballur edhe me mungesa të kreditimit.
Mungesat e dhënies nga ana e bankave, apo përqindjet e larta me të cilat operojnë ato, sipas tij janë bërë shkak për ulje të ritmit në sektorin e ndërtimit.
Sipas statistikave që dhoma e tregtisë së Vlorës jep për këtë sektor, prenotimet në përgjithësi kanë pësuar një rënie në masën 60 për qind. Ndërkohë ato nga ana e emigrantëve kanë rënë në masën 38 për qind.
Energjia
Krahas uljes së kërkesës, problem më shumë për bizneset sipas Lekës pritet të jetë edhe shtrenjtimi i energjisë. Kërkesa që kompania CEZ ka bërë për rritjen e saj në masën 44%, është e papranueshme,- thekson ai.
Më tej ai shton se bizneset që dëmtohen më rëndë janë ato që punojnë me material porositës, siç janë prodhuesit e veshmbathjeve. Këto lloj biznesesh, zakonisht nënshkruajnë kontrata afatgjata dhe rritja rrezikon të reflektohet te kontraktorët e tyre, apo edhe direkt te qytetarët.
Më shumë përballimin e humbjeve me anë të rrijes së çmimit të energjisë, Leka thekson se kompania duhet të bëjë një menaxhim më të mirë të sektorit duke ulur në maksimum humbjet. "Para se të kërkojë rritjen e energjisë, duhet fillimisht që CEZ të eleminojë humbjet në rrjet, të evitojë pagesat aforfe, si dhe të rrisë nivelin e shërbimit, pasi disa herë ato lënë për të dëshiruar", - tha ai.